Flash News

Ditari i Maxhorancës

Veliaj nuk lëshon Bashkinë nga qelia, ç'po përgatit kryebashkiaku para vendimit nga Gjykata e Lartë

veliajj.jpg
Ndërsa ndodhet në paraburgim dhe vetëm dy javë para datës së caktuar nga Gjykata e Lartë për rishqyrtimin e çështjes së tij, Erion Veliaj po ndërmerr një seri lëvizjesh në kupolën drejtuese të Bashkisë së Tiranës. 

Në pak ditë janë larguar disa prej drejtuesve, ndërsa Veliaj ka rikthyer një tjetër emër në strukturat e tij drejtuese.

Lëvizja e fundit ishte shkarkimi i nënkryetarit Blendi Sulaj. Vendimi u firmos nga Veliaj nga paraburgimi dhe erdhi vetëm një ditë pas dorëheqjeve të Anuela Ristanit, Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe shefes së kabinetit Blerina Beshku.

Largimet nga Ristani te Sulaj

Seria e lëvizjeve nisi me Anuela Ristanin, e cila kishte ushtruar funksionet e drejtimit të Bashkisë gjatë mungesës së Veliajt.

Më 28 gusht, Veliaj i tërhoqi Ristanit delegimin e kompetencave. Kryeministria reagoi duke theksuar se, sipas saj, Veliaj vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe se mandati i tij duhet respektuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë. Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush. Situata e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë –  një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë", thuhet në reagim. 

Pak ditë më vonë, Ristani u largua nga detyra dhe pas saj dha dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm Eldi Hoxha, ndërsa Veliaj vendosi të rikthejë në këtë post Alban Dokushin.

Dokushi nuk është një emër i ri për administratën e Veliajt. Ai ka mbajtur më herët postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ishte larguar nga detyra gjatë periudhës kur Ristani ushtronte drejtimin e Bashkisë. Rikthimi i tij është bërë pas një vendimi gjyqësor në favor të tij.

Më 2 shtator, vala e ndryshimeve preku edhe Blendi Sulajn, i cili u shkarkua nga posti i nënkryetarit.

Sulaj largohet, por rreshtohet me Ramën dhe Manastirliun
Reagimi i Sulajt pas shkarkimit forcon më shumë  aludimet mbi lëvizte e Veliajt. 

Në vend që të kritikojë Veliajn apo të komentojë arsyet e largimit, Sulaj falënderoi Edi Ramën për besimin dhe mbështetjen dhe deklaroi se do t'i përkushtohet fushatës në mbështetje të PS-së dhe Ogerta Manastirliut.

Kështu, një zyrtar i emëruar në kupolën e Bashkisë gjatë periudhës së mungesës së Veliajt largohet me firmën e kryebashkiakut, por deklaron se angazhimi i tij i ardhshëm do të jetë në krah të linjës politike të Edi Ramës dhe kandidates së PS-së për Tiranën.

Pra, përtej shkarkimit të një nënkryetari, lëvizja e tij ngre dyshimet se po ndryshon struktura politike dhe administrative e Bashkisë së Tiranës përpara garës së ardhshme elektorale. 

Kryeministria ka pranuar paradoksin institucional
Ndërkohë që po ndryshon njerëzit në nivelet drejtuese, Veliaj ka vijuar të ushtrojë edhe kompetencat administrative.

Sipas raportimeve të fundit në media, nga paraburgimi ai ka miratuar pagat e punonjësve të Bashkisë, si dhe shtesa fondesh për çerdhet, kopshtet dhe abonetë për pensionistët e Tiranës.

Kryeministria vetë e ka pranuar paradoksin institucional, por ka mbajtur qëndrimin se Veliaj është ende kryetar i Bashkisë.

Reagimi i Kryeministrisë pas largimit të Ristanit ishte i qartë se Veliaj vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit të tij, sipas qeverisë, është edhe një e drejtë e zgjedhësve që e kanë votuar.

Keshtu, qeveria nuk po e konteston të drejtën e Veliajt për të ushtruar mandatin, ndërsa vetë Veliaj po e përdor këtë hapësirë për të bërë ndryshime në administratën që drejton.

15 shtatori, data që ndryshon lojën

15 shtatori, është dita kur Gjykata e Lartë ka caktuar shqyrtimin e çështjes së Veliajt në dhomë këshillimi.

 Çështja është rikthyer në Gjykatën e Lartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj për Veliajn ka konstatuar probleme lidhur me arsyetimin e Gjykatës së Lartë mbi proporcionalitetin e masës së arrestit në burg dhe ka shfuqizuar vendimin e saj të mëparshëm, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.

Kjo do të thotë se data e Gjykatës së Lartë nuk është thjesht një tjetër seancë në procesin ndaj kryebashkiakut. Ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si do të funksionojë Bashkia e Tiranës në javët dhe muajt në vijim.

Çfarë po përgatit Veliaj?
Deri tani nuk ka një deklaratë publike të Veliajt që të shpjegojë një strategji të tillë. Prandaj, çdo përfundim se ai po përgatit konkretisht një skenar të caktuar do të ishte spekulim.

Por kjo seri lëvizjesh mund të lexohet si një tenative e tij për të riorganizuar strukturën e Bashkisë përpara një momenti kyç gjyqësor.  

Por një gjë është e sigurt se Erion Veliaj nuk po sillet si një kryebashkiak që ka hequr dorë nga kontrolli i institucionit. Edhe nga paraburgimi, ai po ndërhyn në strukturën drejtuese të Bashkisë dhe po ushtron kompetencat e tij, ndërsa fati i masës së sigurisë pritet të marrë një përgjigje nga Gjykata e Lartë më 15 shtator./Politiko.al

Të fundit