Flash News

SPORT

Pas epokës së Messit, Argjentina ka zgjedhur pasuesin e fanellës “10”

Fanella me numrin “10” e Argjentinës mund të ketë një pronar të ri pas epokës së Lionel Messit. Nëse Lionel Scaloni vijon të jetë në krye të kombëtares, numri ikonë pritet t’i besohet talentit të ri Nico Paz.

Sipas raportimeve të ESPN Argentina dhe gazetarit Federico Bueno, brenda stafit të kombëtares argjentinase është diskutuar dhe vendosur që Paz të jetë pasuesi i Messit për fanellën “10”, në rast se Scaloni rinovon kontratën dhe qëndron në drejtim deri në vitin 2030.

21-vjeçari, i cili aktualisht luan për Comon në Itali, ka grumbulluar 11 paraqitje me Argjentinën, duke mbajtur deri tani fanellën me numrin “18”.

Për fanellën e lënë pas nga Messi ishin përmendur edhe emra të tjerë të rëndësishëm të brezit aktual, mes tyre Enzo Fernández dhe Alexis Mac Allister. Megjithatë, Scaloni duket se po mendon për të ardhmen dhe ka zgjedhur t’ia besojë numrin një prej talenteve më premtues të kombëtares.

“Nëse Scaloni rinovon si trajner i Argjentinës, fanella me numrin 10 do t’i shkojë Nico Pazit. Kjo është vendosur tashmë brenda stafit dhe po merret shumë seriozisht”, ka deklaruar gazetari Federico Bueno.

Pas largimit të Messit dhe Nicolas Otamendit nga kombëtarja pas përfundimit të Botërorit 2026, Argjentina po hyn në një fazë të re. Në këtë tranzicion, Nico Paz shihet si një prej figurave që mund të marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekipin kampion të botës.

Të fundit