Flash News

E-TJERA

Pas valës së largimeve, zyrtarët e Bashkisë kërkojnë takim me Ramën, por ai nuk i kthen përgjigje

Tensionet në Bashkinë e Tiranës duket se kanë kaluar tashmë përtej mureve të institucionit. Pas lëvizjeve të fundit të Erion Veliajt dhe paralajmërimeve për shkarkime të tjera, disa prej zyrtarëve të prekur kanë kërkuar një takim me Kryeministrin Edi Rama.

Sipas Vox News, qëllimi i takimit ka qenë diskutimi i situatës së krijuar në Bashkinë e Tiranës dhe i fatit të tyre pas valës së ndryshimeve të nisura nga Erion Veliaj.

Por deri më tani, Edi Rama nuk u ka kthyer përgjigje kërkesës për takim. Ky qëndrim i Kryeministrit është sinjal indirekt miratimi i veprimeve të Veliajt.

Në Bashkinë e Tiranës prej disa ditësh ka nisur një riformatim i fortë i strukturës drejtuese. Fillimisht Veliaj i hoqi kompetencat e deleguara Anuela Ristanit, e cila më pas u largua edhe nga posti i nënkryetares. Pas saj dha dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm, ndërsa në këtë detyrë u rikthye Alban Dokushi.

Burime të Vox News bëjnë me dije se vala e ndryshimeve nuk ka përfunduar.

Në listën e zyrtarëve të cilëve u është kërkuar ose pritet t’u kërkohet largimi janë edhe drejtues të tjerë të rëndësishëm të Bashkisë. Nëse ata refuzojnë të dorëhiqen, Veliaj pritet të kalojë në shkarkimin e tyre.

Fakti që Rama, nuk ka pranuar një takim me ta, mund të interpretohet si një veprim se ai nuk dëshiron të përfshihet në përplasjen e brendshme që po zhvillohet në Bashkinë e Tiranës.

Nëse ky qëndrim vijon, Veliaj do të ketë praktikisht hapësirë të plotë për të vijuar ristrukturimin e administratës dhe për të rikthyer në pozicionet kyçe njerëz të besuar prej tij. /Vox News

 

Të fundit