Flash News

E-TJERA

Qendrat e refugjatëve/ Amnesty International: Modeli Itali-Shqipëri mund të kthehet në precedent të rrezikshëm për BE-në

Marrëveshja Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigracionit është rikthyer në vëmendje në kuadër të debatit të ri europian për krijimin e të ashtuquajturave “return hubs”, qendra jashtë territorit të BE-së ku mund të transferohen persona që përballen me deportimin.

Amnesty International ka ngritur shqetësime serioze për këtë model, duke paralajmëruar se qendra të tilla mund të krijojnë rrezik për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Deklarata vjen në prag të takimit të 4 shtatorit mes Austrisë, Danimarkës, Gjermanisë, Greqisë dhe Holandës, ku pritet të diskutohet progresi i planeve për krijimin e marrëveshjeve për “return hubs”.

Sipas organizatës, negociatat mes këtyre vendeve janë veçanërisht të avancuara me Ugandën dhe Ruandën, ndërsa në Ugandë raportohet se po shqyrtohet krijimi i një qendre që mund të nisë funksionimin në vitin 2027 dhe të ketë kapacitet për deri në 10 mijë persona.

Drejtoresha e Zyrës së Institucioneve Europiane të Amnesty International, Eve Geddie, paralajmëroi se këto struktura mund të kthehen në vende ku ndalimi dhe deportimi i migrantëve kryhen larg vëmendjes publike dhe jashtë garancive të plota për të drejtat e njeriut.

“Qendrat e kthimit” mbartin, sipas saj, rrezikun e ndalimeve arbitrare, torturës, keqtrajtimit dhe kthimeve të detyruara drejt vendeve të origjinës.

Në deklaratën e saj, Amnesty International i referohet drejtpërdrejt edhe marrëveshjes Itali-Shqipëri, duke e vendosur atë në të njëjtin debat mbi përpjekjet e qeverive europiane për të zhvendosur jashtë territorit politikat e migracionit.

Nga pikëpamja e organizatës, përvoja e marrëveshjes Itali-Shqipëri tregon rreziqet që mund të shoqërojnë një model të tillë, veçanërisht për personat që transferohen jashtë vendit ku kanë kërkuar mbrojtje.

“Ne tashmë e dimë, nga marrëveshja Itali-Shqipëri dhe përpjekjet e mëparshme të qeverive për të transferuar ose zhvendosur jashtë territorit politikat e tyre të migracionit, se ‘qendrat e kthimit’ do të dëmtojnë në mënyrë disproporcionale personat e racizuar”, deklaroi Geddie.

Amnesty paralajmëron se “return hubs” mund të përfshijnë ndalime automatike dhe të paligjshme, kthime të mëtejshme të personave drejt vendeve ku mund të rrezikohen të drejtat e tyre, si dhe kufizime në aksesin ndaj procesit të rregullt ligjor dhe mjeteve juridike.

Uganda dhe Ruanda në qendër të diskutimeve

Shqetësimet e organizatës lidhen veçanërisht me dy vendet që po shqyrtohen si destinacione të mundshme për këto struktura.

Për Ugandën, Amnesty International citon një histori represioni politik, ndalimesh të paligjshme dhe deportimesh, ndërsa kritikon edhe legjislacionin e ashpër kundër personave LGBTQ+.

Edhe Ruanda ngre shqetësime për shkak të situatës së të drejtave të njeriut. Amnesty i referohet rolit të qeverisë dhe ushtrisë rëandaze në raport me grupin e armatosur M23 në Republikën Demokratike të Kongos, i cili është akuzuar për abuzime të rënda.

Në vitin 2023, Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar arriti në përfundimin se Ruanda nuk ishte një vend i tretë i sigurt për transferimin me forcë të azilkërkuesve, duke marrë në konsideratë akuzat për represion, ndalime arbitrare, keqtrajtim dhe torturë.

Ndërkohë, Rregullorja e BE-së për kthimin, e cila ende nuk është miratuar përfundimisht, parashikon që marrëveshjet për “return hubs” të lidhen vetëm me vende ku respektohen standardet dhe parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Amnesty International kërkon që qeveritë europiane t’i refuzojnë këto plane, duke argumentuar se përgjegjësitë për migracionin dhe azilin nuk duhet të zhvendosen te vendet e treta.

Të fundit