Flash News

E-TJERA

Ndryshime në drejtimin e policisë në disa qarqe, ja lëvizjet

Policia e Shtetit ka bërë disa ndryshime në strukturat drejtuese të saj, duke prekur drejtuesit e qarqeve Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe disa pozicione në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kastriot Skënderaj është emëruar në drejtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke marrë detyrën e drejtorit të kësaj strukture.

Ndërkohë, drejtori aktual i DVP Elbasan, Fatmir Hoxha, largohet nga kjo detyrë dhe emërohet specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndryshime ka edhe në Berat dhe Korçë. Luigj Vathi, i cili drejtonte DVP Berat, është emëruar në krye të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë.

Pozicioni i lënë nga Vathi në Berat nuk përmendet në këto lëvizje, ndërsa Gëzim Zhupaj, i cili drejtonte strukturën e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të mbajë detyrën e shefit të sektorit në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike.

Lëvizjet kanë prekur edhe strukturat e Policisë së Tiranës. Kryekomisar Dashnor Muhaj, i cili mbante detyrën e zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Tiranë, është transferuar në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në DPPSh, ku do të ushtrojë funksionin e specialistit për Migracionin e Parregullt.

Të fundit