Flash News

E-TJERA

"Janë djegur 10 mijë ha", eksperti: Prekja e zonave të mbrojtura kërcënon ekosistemin

Screenshot 2026-08-30 204545.png

Rreth 10,828 hektarë sipërfaqe pyjore janë përfshirë nga zjarret në Shqipëri deri më tani, që sipas ekspertëve mbetet shqetësuese pasi sezoni i zjarreve nuk ka përfunduar.

Inxhinieri i pyjeve, Elvin Toromani, deklaroi në ABC News se situata është përkeqësuar veçanërisht gjatë muajit gusht, kur numri i vatrave të zjarrit është rritur ndjeshëm në të gjithë territorin.

Sipas tij, pas datës 16 gusht është konstatuar një shtim i rasteve, ndërsa një tjetër problem shqetësues është përhapja e zjarreve edhe në zona të mbrojtura.

“Deri në këto momente për Shqipërinë raportohet një sipërfaqe e djegur nga zjarret në vlerën e 10,828 hektarë. Po t’i referohemi dy viteve të fundit, është më e ulët, por duhet të kemi parasysh që ne ende jemi duke u përballur me zjarret”, u shpreh Toromani.

Ai theksoi se zjarret tashmë janë të shpërndara në të gjithë vendin, duke e bërë situatën më të vështirë për strukturat që merren me menaxhimin e emergjencave.

“Problemi është që në muajin gusht rastet e zjarreve janë shtuar shumë, sidomos pas datës 16 gusht. Kemi numrin më të madh të konstatuar në vend. Zjarret janë me një shpërndarje në të gjithë territorin dhe problemi më i madh është që zjarret kanë prekur edhe një pjesë të zonave të mbrojtura”, deklaroi ai.

Toromani ngriti shqetësimin edhe për mënyrën se si po menaxhohet situata, duke argumentuar se vëmendja e institucioneve është përqendruar kryesisht te shuarja e flakëve dhe jo te masat parandaluese.

Kjo problematikë nuk është marrë në vëmendje ashtu siç duhet nga ana e strukturave. E vetmja gjë që bëhet është se i kushtohet vëmendje pjesës së ndërhyrjes së zjarrit, por jo asaj që është më e rëndësishme, parandalimit”, tha eksperti.

Sipas tij, pasojat e zjarreve nuk kufizohen vetëm te sipërfaqja pyjore e djegur. Flakët shkaktojnë dëmtime të habitateve dhe faunës së egër, ndërsa ndikojnë edhe në cilësinë e tokës dhe të burimeve ujore.

“Kur flasim për dëmet që shkaktojnë zjarret, ato janë të mëdha, duke përfshirë humbjen e masës pyjore, dëmtime të habitateve dhe të faunës së egër, dëmtime të cilësisë së tokës, varfërimin e saj. Kemi gjithashtu pasoja në burimet ujore dhe në cilësinë e ujërave. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha”, përfundoi Toromani.

Të fundit