Flash News

Bota

"10 minuta na ndanë nga tragjedia", si drejtori në Nepal shpëtoi 900 nxënës nga përmbytja

nepal_rajendra_dawadi.jpg

Një vendim i shpejtë i drejtorit të një shkolle në Nepal dyshohet se ka parandaluar një tragjedi të madhe, duke shpëtuar rreth 900 nxënës nga përmbytjet shkatërruese që përfshinë zonën.

Rajendra Dawadi, drejtori i shkollës Tribhuvan Trishuli në distriktin Nuwakot, mori brenda pak minutash katër telefonata nga persona të ndryshëm, të cilët e paralajmëruan për rrezikun e përmbytjeve, shkruajnë mediat e huaja. 

Alarmi u rrit edhe më tej kur drejtuesi mësoi se ujërat kishin përfshirë tashmë vendbanimin Betrawati, në rrjedhën e sipërme të lumit.

Dawadi nuk priti për konfirmime të tjera dhe vendosi të evakuonte nxënësit drejt zonave më të larta.

Vendosa se nuk duhej të vonohesha më. Edhe nëse përmbytja nuk do të vinte, do të humbnim vetëm një ditë mësimi”, tha ai për BBC.

Shkolla kishte më shumë se 1,600 nxënës, ndërsa rreth 900 prej tyre u evakuuan në terren më të lartë. Gjatë largimit, drejtori pa nga afër përmasat e rrezikut, pasi një ndërtesë konvikti, rreth 100 metra larg lumit, u përfshi nga ujërat e furishme.

Për Dawadin, koha ishte vendimtare. Ai beson se një vonesë prej vetëm disa minutash mund të kishte ndryshuar krejtësisht përmasat e tragjedisë.

“Nëse do ta kishim marrë vendimin 10 minuta më vonë, asnjëri prej nesh – as nxënësit dhe as unë – nuk do të mund të flisnim me ju sot”, deklaroi ai.

Vendimi i drejtorit është kthyer tashmë në një shembull të rëndësisë së paralajmërimeve të hershme dhe reagimit të shpejtë përballë fatkeqësive natyrore.

Të fundit