Flash News

E-TJERA

GJKKO shpërfill thirrjet e organizatave ndërkombëtare, nga sot hyn në fuqi rregullorja që kufizon median

Duke filluar nga sot, hyn në fuqi Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila censuron mediat dhe i mbyll dyert gazetarëve për të ushtruar detyrën e tyre të informimit.

E ideuar nga kryetari i komanduar i saj Erion Bani, rregullorja u hartua dhe u miratua pas asnjë konsultim paraprak. 

Rregullorja përcakton se gazetarët që duan të ndjekin seancat gjyqësore mund të akreditohen ose jo, por në momentin që ndodhen brenda sallës, nuk do të lejohen as filmimi, as fotografimi, madje, transmetimet kërkojnë autorizim përkatës nga trupi gjykues.

Një gazetari i cili kërkon të ndjekë seancën nuk duhet të ketë telefon me vete dhe asnjë lloj tjetër pajisje elektronike.

SafeJournalists, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe organizata të tjera të lirisë së medias kanë kundërshtuar dispozitat e reja të GJKKO-së, duke argumentuar se kufizimet për akreditimin, përdorimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike, si dhe rregullat për filmimet, mund të vështirësojnë aksesin dhe raportimin e gazetarëve.

EFJ e ka cilësuar rregulloren një “regres serioz” për transparencën gjyqësore dhe lirinë e medias, ndërsa ka kërkuar shtyrjen e hyrjes në fuqi dhe konsultim me komunitetin e gazetarëve.

SafeJournalists, në mënyrë të ngjashme, ka kërkuar pezullimin e dispozitave të kundërshtuara dhe rishikimin e tyre.

Rregullorja e GJKKO-së përcakton se:

Seancat publike janë të hapura për publikun deri në mbushjen e kapacitetit të sallës. Për vendet, përparësi kanë palët në gjykim, familjarët dhe më pas media e akredituar.

Akreditimi nuk është licencë gazetarie dhe as autorizim për të informuar publikun. Edhe gazetarët e paakredituar mund të ndjekin seancat publike, në varësi të vendeve.

Gazetarët e akredituar mund të ndjekin seancat pa autorizim paraprak, por filmimet, fotografimet, regjistrimet audio dhe transmetimet kërkojnë autorizim të trupit gjykues, me kërkesë të paktën 24 orë përpara.

Edhe filmimet dhe intervistat në hollin e GJKKO-së kërkojnë autorizim.

Në sallë kërkohet veshje e përshtatshme dhe sjellje e qetë; telefonat dhe pajisjet elektronike nuk lejohen, me disa përjashtime për funksionet procedurale.

Kërkesa për akreditim shqyrtohet brenda 5 ditësh; në mungesë të përgjigjes me shkrim, konsiderohet e miratuar. Refuzimi, pezullimi ose revokimi mund të ankimohet në Gjykatën Administrative.

Masat e sigurisë përshtaten sipas nivelit të riskut, ndërsa të dhënat sensitive të sigurisë mbeten për përdorim të brendshëm.

Rregullorja parashikohet të rishikohet të paktën çdo dy vjet ose sa herë që ndryshimet ligjore, teknologjike apo të sigurisë e kërkojnë.

Të fundit