Flash News

E-TJERA

Shqipëria 5.2 herë ‘më e shtrenjtë’ se BE-ja, Berisha: Greqia ul çmimet, indiferenca e Ramës është çnjerëzore

Kreu i PD Sali Berisha ka dënuar indiferencën e qeverisë përballë rritjes galoponte të çmimeve, që po rëndon xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Nga selia blu, Berisha vuri në dukje masat lehtësuese që shteti fqinj, Greqi, ka ndërmarrë duke ndërhyrë te çmimet e produkteve, ndërsa e krahasoi me qeverinë shqiptare e cila qëndron neglizhente.

 

Kryedemokrati theksoi se në Shqipëri çmimet janë rritur 5.2 herë më shumë krahasuar me vendet e BE-së, e përpos kësaj, qeveria ka marrë zero masa për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të saj.

“Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve. Çmimeve të ushqimeve bazë, çmimeve të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimeve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi. 

Pra, Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët dhe bën një ndërhyrje shumë të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve të saj.

Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE. Dhe qeveria ka zero reagim. Çmimet pra janë rritur këtë vit krahasuar me rritjen mesataren të çmimeve të ushqimeve në BE, 5.2 herë më shumë. Dhe qeveria ndërmerr zero veprime.

Indiferenca e Edi Ramës, qeverisë së tij ndaj kësaj situate, tejkalon qëndrimet do të thosha më çnjerëzore”, deklaroi Berisha.

Të fundit