Flash News

POLITIKOFF

'TIME' përzgjedh Mira Muratin mes 100 figurave që po formësojnë të ardhmen e AI

Mira Murati është përzgjedhur nga revista prestigjioze amerikane TIME në listën “TIME100 AI 2026”, ku renditen 100 personalitete që po luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e inteligjencës artificiale në nivel global.

Murati, e cila më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, është tashmë bashkëthemeluese dhe CEO e kompanisë Thinking Machines Lab. Ajo është përfshirë edhe në kopertinën globale të këtij edicioni, në një grup ku bëjnë pjesë disa prej emrave më të njohur të industrisë së teknologjisë, përfshirë Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos dhe Ilya Sutskever.

TIME e përshkruan listën e vitit 2026 si një përzgjedhje të liderëve, inovatorëve dhe studiuesve që po ndikojnë në mënyrën se si do të zhvillohet dhe përdoret AI në të ardhmen.

Në një profil të posaçëm për Muratin, revista ndalet te puna e saj në Thinking Machines Lab dhe te synimi për të krijuar sisteme të inteligjencës artificiale më fleksibël dhe më të përshtatshme për nevojat e përdoruesve.

Kompania u themelua nga Murati në vitin 2025 dhe, sipas TIME, ka siguruar rreth 2 miliardë dollarë financim në raundin fillestar. Paralelisht, Thinking Machines Lab ka lidhur një marrëveshje me Nvidia për furnizimin me çipa të avancuar, të cilët do të përdoren në zhvillimin e teknologjive të saj të AI.

Lista e TIME përfshin këtë vit figura nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë, universitetet dhe qendrat kërkimore, politika, biznesi dhe industria krijuese. Mes tyre janë drejtues dhe studiues të lidhur me kompani si OpenAI dhe Anthropic, si dhe emra të tjerë që kanë ndikuar në zhvillimin e sektorit.

Sipas kryeredaktorit të TIME, Sam Jacobs, inteligjenca artificiale tashmë është shndërruar nga një teknologji eksperimentale në një element të përditshëm të mënyrës se si njerëzit punojnë, informohen dhe komunikojnë.

Për Muratin, kjo është një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj. Pas largimit nga OpenAI në vitin 2024, ajo vendosi të ndërtojë një kompani të re në fushën e AI, duke u rikthyer kështu në një prej qendrave më të rëndësishme të garës globale për teknologjitë e inteligjencës artificiale.

Të fundit