Flash News

Rajoni

Tre të vrarë në një poligon qitjeje në Mal të Zi, në kërkim një 30-vjeçar rus

mal-i-zi-krim-Mihail-sabunjin-3.jpeg

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur pasditen e sotme Malin e Zi.

Tre persona janë vrarë me armë zjarri në një poligon qitjeje pranë Danilovgradit, ndërsa policia ka nisur një operacion për kapjen e një 30-vjeçari rus, i dyshuar për autorësinë e krimit.

Ngjarja është regjistruar pak pas orës 16:00 në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”. Sipas autoriteteve malazeze, viktimat janë Petra Globarević, 24 vjeç, nga Podgorica, Momir Radonjić, 67 vjeç, nga Danilovgradi dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica.

Të tre personat raportohet se punonin në poligonin ku ndodhi ngjarja.

Menjëherë pas të shtënave, policia ka identifikuar si të dyshuar Mihail Šabunjin, 30 vjeç, shtetas rus. Autoritetet dyshojnë se ai është larguar nga vendi i krimit me një automjet “Seat Cordoba”, me ngjyrë të zezë dhe targa PG AC 472.

Sipas mediave malazeze, automjeti është në pronësi të babait të njërit prej viktimave.

Policia ka nisur kontrollet në disa zona për lokalizimin e të dyshuarit, ndërsa automjeti është gjetur më vonë në zonën e Rogamëve, pranë restorantit “Stefan”.

Pavarësisht gjetjes së makinës, Šabunjin ende nuk është lokalizuar.

mal-i-zi-krim-Mihail-sabunjin-5.jpeg
Mihail Šabunjin

Autoritetet malazeze kanë paralajmëruar se i dyshuari mund të jetë i armatosur dhe u kanë kërkuar qytetarëve të tregohen të kujdesshëm gjatë kohës që vijon operacioni policor.

Drejtoria e Policisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos afrohen pranë personit të dyshuar nëse e vërejnë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet.

“Ftojmë qytetarët që, nëse kanë të dhëna për personin e dyshuar ose e vërejnë atë, të raportojnë të dhënat për vendndodhjen dhe lëvizjet e tij në Drejtorinë e Policisë, në numrin pa pagesë 122, përmes aplikacionit ‘Policija CG’ (Stacioni Virtual i Policisë) ose në çdo mënyrë tjetër. Informacioni mund t’i përcillet policisë edhe në mënyrë anonime”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e vrasjes së trefishtë, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e 30-vjeçarit rus.

 

Të fundit