Flash News

Rajoni

Greqia ndërhyn te çmimet, mbi 1,600 produkte me ulje në supermarkete

Mbi 1,600 produkte të konsumit të përditshëm do të shiten me çmime më të ulëta në supermarketet greke, në një tjetër masë të qeverisë për të lehtësuar presionin e kostos së jetesës mbi familjet.

Masa nis të zbatohet nga sot dhe pritet që lista e produkteve të zgjerohet në ditët në vijim, duke kaluar 1,700 artikuj. Në të përfshihen produkte bazë ushqimore, si mielli, qumështi dhe mishi, por edhe artikuj të përdorimit të përditshëm, përfshirë detergjentë, shampo, pelena dhe mjete shkollore.

Sipas skemës së dakordësuar mes qeverisë dhe bizneseve, ulja mesatare e çmimeve do të jetë rreth 7%. Periudha e aplikimit varion nga dy deri në katër muaj, ndërsa për disa produkte zbritja do të jetë dukshëm më e lartë. Në raste të caktuara, veçanërisht për artikujt shkollorë, uljet mund të arrijnë deri në 35%.

Për t'i bërë më të dallueshme, produktet pjesë e marrëveshjes do të kenë një shenjë të veçantë në raftet e supermarketeve. Konsumatorët do të mund të kontrollojnë gjithashtu çmimet përmes platformës online “PosoKanei” (“Sa kushton”).

Megjithatë, masa nuk nënkupton se çdo produkt i një kategorie do të ketë çmim më të ulët. Organizatat e konsumatorëve paralajmërojnë se uljet vlejnë vetëm për artikujt konkretë që janë përfshirë në marrëveshje.

Përveç produkteve ushqimore dhe artikujve të përditshëm, qeveria greke po shqyrton edhe zgjatjen e masave mbështetëse për karburantet.

Në diskutim është vijimi i subvencionit prej 10 centësh për litër naftë, në një periudhë kur çmimet e karburanteve në vend vijojnë të jenë mbi 2 euro për litër.

Të fundit