Flash News

Ditari i Opozitës

“Çdo qindarkë duhet të justifikohet”/ Kedhi kërkon transparencë për fondet e startup-eve

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikolla Kedhi, ka denoncuar mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike për startup-et, duke ngritur akuza për favorizime, shkelje të rregullave, konflikte interesi dhe përfitues të përsëritur.

Kedhi kërkon transparencë të plotë mbi aplikantët, kriteret e vlerësimit dhe përzgjedhjen e fituesve, duke theksuar se fondet janë para të taksapaguesve.

Ai deklaron se PD ka analizuar rastet e pretenduara për shkelje dhe do ta ndjekë çështjen deri në fund, ndërsa i bën thirrje SPAK-ut të hetojë çdo rast të dokumentuar të shkeljes së ligjit apo shpërdorimit të fondeve publike.

POSTIMI I Nikolla Kedhi

Fondet publike për startup-et duhet të mbështesin idetë më të mira, inovacionin dhe sipërmarrjen e të rinjve. Ndërkohë, duke injoruar, braktisur, skualifikuar qindra apo mijëra të rinj qe e meritojnë vërtetë, është ngritur një skemë e mbushur me favorizime, shkelje rregullash, konflikt interesi dhe përfitues të përsëritur. Nëse çdo gjë është në rregull, mjafton që institucionet të bëjnë transparencë.

Miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë shpërndahen përmes skemave publike. Për këtë arsye transparenca duhet të jetë absolute, veçanërisht mbi ata që kanë aplikuar, kriteret e vlerësimi, vendimmarrësit dhe arsyetimin e përzgjedhjes së fituesve.

Shpërdorimi i parave publike dhe këto skema dëmtojnë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe qindra të rinj e sipërmarrës që konkurrojnë me ndershmëri dhe presin një shans të barabartë.

Partia Demokratike po e monitoron, ka analizuar me ekipet e saj çdo rast te pretenduar për shkelje përgjatë verës dhe do ta ndjekë këtë çështje padyshim deri në fund.

Çdo rast i dokumentuar i shkeljes së ligjit, konfliktit të interesit apo shpërdorimit të fondeve publike duhet dhe do të marrë përgjigje institucionale dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.

SPAK do duhet të zgjohet nga gjumi e të bëjë atë për të cilën është krijuar. Boll mbylli syte para çdo afere.

Ndërkohë ne mirëpresim të gjithë sipërmarrësit e ndershëm, të rinj ose jo, për të trajtuar së bashku në mënyrën më të mire këtë fenomen dhe çdo shqetësim apo problematikë tjetër. Liria e sipërmarrjes, tregu vërtet i lirë dhe konkurrenca e ndershme janë për ne prioritet absolut.

Asnjë qytetar shqiptar, asnjë i ri e asnjë sipërmarrës i ndershëm nuk është më vetëm përballë këtij sistemi të kalbur. PD-në e kanë në krahë, në mënyrë të paekuivok.

Paratë e qytetarëve nuk janë pronë e qeverisë. Çdo qindarkë do të duhet të justifikohet. Shumë shpejt do vijë dita kur kjo transparencë do bëhet.

Të fundit