Flash News

E-TJERA

Kampioni i Ballkanit denoncon Federatën e Atletikës: Nuk më çuan në Lojërat Mesdhetare sepse dola në protestë

Një tjetër denoncim ngre pikëpyetje mbi mbështetjen që u ofrohet sportistëve shqiptarë. Këtë herë është atleti David Nikolli, Kampion i Ballkanit, me 8 medalje dhe 12 rekorde kombëtare, i cili ka akuzuar Federatën Shqiptare të Atletikës se e ka lënë jashtë delegacionit për Lojërat Mesdhetare për arsye politike.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Nikolli pretendon se përjashtimi i tij lidhet me pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë. Sipas atletit, ai ishte përgatitur për rreth një vit me synimin për të garuar në këtë kompeticion, por në fund Federata vendosi të përzgjidhte sportistë të tjerë.

Nikolli thekson se vetëm një muaj para Lojërave Mesdhetare kishte triumfuar në Kampionatin Kombëtar në dy gara, duke e konsideruar vendimin për të mos e përfshirë në ekip si të pajustifikueshëm.

“Jam bërë sportist i padëshirueshëm pasi dola në protesta dhe fola atë që mendoj se është e drejtë dhe e vërtetë”, shprehet ai, duke shtuar se nuk ka pranuar të bëjë kompromise apo t’i nënshtrohet presioneve.

Atleti ka kritikuar gjithashtu drejtuesit e Federatës, duke pretenduar se ata marrin pjesë në aktivitete sportive dhe qëndrojnë në hotele, ndërsa nuk ofrojnë mbështetjen e nevojshme për atletët që përfaqësojnë Shqipërinë.

 

Të fundit