Flash News

KRYESORE

Berisha merr vizën amerikane, Politiko zbardh axhendën e vizitës në SHBA

berisha-shba-750x375.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas marrjes së vizës amerikane, në një vizitë që do ta rikthejë në SHBA pas disa vitesh.

Burime të Politiko.al bëjnë me dije se Berisha do të zhvillojë një takim me shqiptarët në New Jersey ndërsa disa ditë mëw voë pritet të jetë në Dallas, Teksas, ku do të marrë pjesë në aktivitetet e Partisë Republikane amerikane.

Sipas burimeve të Politiko.al, përpara pjesëmarrjes në aktivitetet e Partisë Republikane në Teksas, Berisha do të takohet me komunitetin shqiptar në New Jersey.

Takimi pritet të zhvillohet të dielën dhe do të jetë një prej ndalesave të para të kreut të PD-së në SHBA, ku ai pritet t'u drejtohet shqiptarëve të diasporës dhe të flasë për zhvillimet politike në Shqipëri.

Më pas, axhenda e Berishës zhvendoset në Teksas, ku më 9 dhe 10 shtator zhvillohet Konventa e parë e Partisë Republikane për zgjedhjet e mesmandatit. Konventa është parashikuar të mbahet në Dallas dhe do të ketë në qendër mobilizimin e republikanëve për zgjedhjet e vitit 2026.

Berisha është konfirmuar më herët si pjesë e delegacionit të IDU-së që do të marrë pjesë në këtë aktivitet. Sipas dokumenteve të bëra publike, ftesa i është dërguar në kuadër të delegacionit ndërkombëtar, ndërsa pjesëmarrja e tij është cilësuar si e rëndësishme për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në udhëtim pritet ta shoqërojnë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.

Vetë Berisha konfirmoi sot në një konferencë megazetarët se procedurat për udhëtimin janë në zhvillim dhe se dokumentet ndodhen në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

“Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim”, deklaroi Berisha, duke sqaruar se destinacioni kryesor i vizitës do të jetë Teksasi.

Ai tha se do të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet “midterm”, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), ku Partia Republikane amerikane është një prej forcave kryesore.

“Unë shkoj, siç e dini, shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë, i cili është i ftuar nga Partia Republikane, parti kryesore në IDU, për të marrë pjesë në këtë konferencë. Përveç kësaj, unë kam një ftesë dhe nga një institut republikan”, tha ai.

Non Grata

Berisha u shpall 'non grata' nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021, kur iu ndalua hyrja në SHBA së bashku me familjarët e tij të afërt. Në qershor 2026, pas një rishikimi të çështjes, SHBA hoqi kufizimin e udhëtimit, duke i hapur rrugë rikthimit të kreut të PD-së në territorin amerikan.

Tashmë, vizita e paralajmëruar në SHBA do të jetë udhëtimi i parë i Berishës pas heqjes së këtij kufizimi dhe pritet të ketë interes të veçantë politik, për shkak të takimeve me diasporën shqiptare dhe pjesëmarrjes së tij në aktivitetin e Partisë Republikane.

 

Të fundit