Flash News

Ditari i Maxhorancës

Veliaj i hoqi kompetencat, Anuela Ristani njofton largimin: Koha, gjykatësi më i drejtë

640-0-900-0-1784540920xsdfffffffffffffffffffffffff-845-1-1784546098.jpg

Vendimi i Erion Veliajt për t’i hequr të drejtat e deleguara ka sjellë largimin e Anuela Ristanit nga Bashkia e Tiranës.

Ristani ka zgjedhur të reagojë publikisht përmes një mesazhi në FB, ku nuk përmend drejtpërdrejt përplasjen apo arsyet e vendimit, por fokusohet te marrëdhënia e saj me Tiranën dhe vitet e punës në bashki.

“Largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën”, shkruan Ristani, ndërsa kujton ndryshimet e kryeqytetit që nga koha kur nisi punën 11 vite më parë.

Ristani nuk kursen edhe një mesazh me nota ironike, duke iu referuar kohës si “gjykatësi më i drejtë” dhe duke lënë të kuptohet se vlerësimin për atë që është bërë në Tiranë do ta japë vetë koha.

Reagimi i plotë: 

Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.

Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.

Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.

Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.

Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi.

Faleminderit të gjithëve!

 

Të fundit