Flash News

E-TJERA

Hyrja në fuqi e rregullores së re të GJKKO, Asosacioni i Gazetarëve: Keqardhje e zhgënjim

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hyrë në fuqi këtë 1 shtator, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura më herët nga gazetarët dhe organizatat e medias.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar duke shprehur keqardhje dhe zhgënjim për vendimin, ndërsa thekson se kërkesat e komunitetit të gazetarëve për konsultim përpara hyrjes në fuqi të rregullores nuk janë marrë parasysh.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga AGSH lidhet me kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore, masë që sipas gazetarëve ndikon drejtpërdrejt në mënyrën e raportimit nga proceset gjyqësore.

Asociacioni shprehet se e njeh rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e zhvillimit normal të seancave, por kërkon që këto rregulla të jenë në përputhje me të drejtën e medias për të raportuar dhe të publikut për t'u informuar.

AGSH thotë se mbetet i hapur për dialog me GJKKO-në, por paralajmëron se do të ndjekë rrugët e nevojshme për ta kundërshtuar rregulloren.

“Mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

Deklarata e plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin që, prej sot, 1 shtator, ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.

AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të Rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.

Ne vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t'u informuar.

Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim.

Të fundit