Flash News

Rajoni

I dyshuar për vrasjen e tre të rinjve në Mal të Zi, 30-vjeçari rus vret veten pas përplasjes me policinë

Një shtetas rus, i dyshuar për vrasjen e tre personave në një poligon qitjeje në Danilovgrad, është gjetur i vdekur në një zonë pyjore në Herceg Novi, pas përplasjes me forcat e policisë.

Sipas autoriteteve malazeze, Mihail Šabunjin, 30 vjeç, u lokalizua në zonën mbi lagjen Topla nga forcat speciale dhe njësi të tjera të Policisë së Malit të Zi. Në momentin që efektivët e rrethuan, ai dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre dhe më pas qëlloi veten në kokë.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur një ditë më parë në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danilovgrad. Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet dhe mediat malazeze, viktimat janë Nemanja Kapor, 20 vjeç, Petar Globarević, 24 vjeç, dhe Momir Radonjić, 67 vjeç. Të tre punonin në poligon.

Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi nisi pak para orës 17:00. Šabunjin dyshohet se qëlloi fillimisht instruktorin e poligonit, Petar Globarević, dhe më pas vrau Radonjićin dhe Kaporin. Viktimave iu shkaktuan plagë të shumta nga armët e zjarrit.

Nga sulmi arriti të shpëtonte pronari i poligonit, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej duke fjetur në një prej ambienteve të objektit.

Të fundit