Flash News

E-TJERA

Avokatët kundër rregullores së re të GJKKO-së: Nëse nuk reflektohet, bojkotojmë seancat

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përplasur drejtuesit e avokatisë me administratën e gjykatës. Në qendër të kundërshtimeve janë disa prej kufizimeve të reja që prekin avokatët, por edhe aksesin e gazetarëve në ambientet e GJKKO-së.

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, dhe kreu i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Klodian Skënderi, reaguan të hënën për mediat, pas daljes nga ambientet e gjykatës.

Haxhia bëri të ditur se avokatët nuk e pranojnë në formën aktuale rregulloren dhe paralajmëroi përshkallëzim të reagimit nëse nuk do të ketë ndryshime.

“Kontestojmë rregulloren. Nëse nuk ka reflektim, shkojmë në bojkot të seancave gjyqësore”, deklaroi ai.

Një nga çështjet që ka shkaktuar kundërshtime lidhet me përdorimin e telefonave celularë në ambientet e gjykatës. Sipas Haxhisë, telefoni është kthyer në një mjet të domosdoshëm pune për avokatët dhe kufizimi i përdorimit të tij prek drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të profesionit.

“Aparati celular për ne është ‘studio lëvizëse’, ku punojmë”, tha Haxhia.

Ndërkohë, rregullorja e re ka ngjallur shqetësime edhe te organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtës së informimit. Ato e kanë kundërshtuar vendosjen e kufizimeve për gazetarët, duke argumentuar se rregullat e reja mund të vështirësojnë aksesin e medias dhe informimin e publikut mbi çështjet që shqyrtohen në GJKKO.

Të fundit