Flash News

E-TJERA

Helmohen rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit dyshohet se janë prekur nga helmimi si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm. Gjatë katër ditëve të fundit, ata janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore të qytetit, duke shfaqur simptoma të ngjashme me helmimin.

Alarmi për cilësinë e ujit është ngritur nga vetë banorët, të cilët një ditë më parë denoncuan situatën për News24. Sipas tyre, uji që furnizon banesat kishte një erë të rëndë, ndërsa ankesat e përsëritura nuk kishin sjellë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.

Pas denoncimeve, strukturat e Shëndetit Publik dhe të Higjienës kanë marrë kampione nga uji i pijshëm që furnizon banorët, të cilat pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Deri tani, rezultatet e analizave nuk janë bërë ende publike dhe nuk ka një konfirmim zyrtar mbi shkakun e simptomave.

Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa. Ai ka deklaruar se përgjegjësia për furnizimin me ujë i takon Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.

Qafa e ka lidhur situatën edhe me debatet e fundit për ndryshimet territoriale, duke argumentuar se transferimi i shërbimeve larg pushtetit vendor po krijon probleme për qytetarët. Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe propozimin që Bashkia Fushë-Arrëz të shkrihet me Bashkinë Pukë.

Ndërkohë, në pritje të një zgjidhjeje institucionale, banorët kanë gjetur një alternativë të përkohshme për furnizimin me ujë. Prej ditësh, ata po detyrohen të mbushin ujë në kroje, për ta përdorur për nevojat e përditshme.

Të fundit