Flash News

Bota

Kallas kundër reformës franko-gjermane: Problemi nuk janë traktatet, por zbatimi

plani-1.webp

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kundërshtuar idenë se një reformë e thellë institucionale është zgjidhja për ta bërë më efektive politikën e jashtme të BE-së, me argumentin se problemi kryesor qëndron te mënyra se si zbatohen rregullat ekzistuese.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur Franca dhe Gjermania kanë propozuar një riformatim të gjerë të Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm (EEAS), strukturë që drejtohet nga Kallas, shkruan Politico

Propozimi franko-gjerman synon, ndër të tjera, të forcojë rolin e Kallasit duke i dhënë asaj mbikëqyrje mbi njësitë e Komisionit Evropian që merren me çështjet e jashtme. Në të njëjtën kohë, plani parashikon ndryshime në mënyrën se si merren vendimet e politikës së jashtme, përfshirë heqjen e të drejtës së vetos së shteteve anëtare në këtë fushë.

Por Kallas nuk duket se e sheh reformën institucionale si problemin kryesor.

Pas diskutimeve mes ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, ajo tha se shumica e ambasadorëve kishin mbështetur kuadrin aktual të EEAS-it.

“Problemi nuk janë traktatet dhe as kuadri institucional. Problemi është zbatimi i tyre”, deklaroi Kallas.

Debati është bërë më i ndërlikuar edhe për shkak të rritjes së rolit të vetë Komisionit Evropian në çështjet e politikës së jashtme. Krijimi i strukturave të reja që mbulojnë rajone dhe çështje ndërkombëtare ka sjellë diskutime mbi kufijtë e kompetencave mes Komisionit dhe EEAS-it.

Dokumenti i hartuar nga Franca dhe Gjermania propozon që një pjesë e këtyre strukturave të vendosen nën mbikëqyrjen e Kallasit, duke përfshirë fusha si migracioni, tregtia dhe ndihma për zhvillim.

Kallas argumenton se një përgjegjësi e tillë i është dhënë tashmë nëpërmjet traktateve dhe akteve ligjore të BE-së, por se problemi qëndron te zbatimi praktik i tyre.

Pozita e saj është e veçantë brenda strukturave europiane. Kallas është njëkohësisht përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, ndërsa ka për detyrë të koordinojë qëndrimet e 27 vendeve anëtare në çështjet ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Kallas paralajmëroi kundër një përqendrimi të mëtejshëm të kompetencave në Komision.

Nëse dikush është mbi mua dhe në fakt merr vendimet, atëherë kjo nuk funksionon kështu”, tha ajo.

Debati pritet të vazhdojë ndërsa BE-ja përballet me një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks, kufizime buxhetore dhe nevojën për një politikë të jashtme më të koordinuar.

 


 

 

Të fundit