Flash News

Kosova

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit: Dyshohet se BIA synonte të ndikonte në zgjedhjet lokale në Kosovë

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit: Dyshohet se BIA synonte të ndikonte në

Prokuroria Speciale e Kosovës dyshon se një operacion i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA) kishte për qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, përmes veprimeve të Fatmir Shehollit.

Sipas aktakuzës, të siguruar nga KosovaPress, Sheholli dyshohet se ka vepruar në interes të BIA-s dhe se ka zbatuar udhëzime të marra nga Bojan Dimiç, zyrtar i këtij shërbimi.

Prokuroria pretendon se skema synonte të dëmtonte interesat e Kosovës dhe të ndikonte drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, përmes publikimit të materialeve komprometuese ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në kuadër të kësaj skeme, më 26 shtator 2025, Sheholli dyshohet se shkoi në Mitrovicën e Veriut, ku mori materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve. Për marrjen dhe përdorimin e këtyre materialeve, sipas Prokurorisë, atij iu dhanë 5 mijë euro.

Më tej, materialet dyshohet se iu dorëzuan nga Sheholli një gazetari, së bashku me 1 mijë euro. Sipas aktakuzës, gazetari ishte udhëzuar edhe për mënyrën e publikimit dhe kohën kur ato duhej të bëheshin publike.

Prokuroria pretendon se publikimi ishte planifikuar pak ditë para zgjedhjeve, në mënyrë që të ndikonte në perceptimin e qytetarëve dhe rrjedhimisht në rezultatin e procesit zgjedhor.

Fatmir Sheholli akuzohet për veprën penale të “spiunazhit” dhe ndodhet prej muajsh në paraburgim. Ai u arrestua më 9 tetor 2025 nga Policia e Kosovës, në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorinë.

Të fundit