Flash News

OPINEWS

Pushteti ka një fund, turpi nuk ka mandat!

Pushteti ka një fund, turpi nuk ka mandat!

Nga Irena Beqiraj

Në vitin 1966, senatori amerikan J. William Fulbright botoi veprën "Arroganca e Pushtetit" ("the Arrogance of Power*), një kritikë të ashpër ndaj politikës së jashtme amerikane dhe kulturës së konformizmit politik që kishte ndihmuar në përshkallëzimin e Luftës së Vietnamit.

Por paralajmërimi i tij shkonte shumë përtej Vietnamit: "pushteti i pakontrolluar, veçanërisht kur kërkon besnikëri të pakushtëzuar dhe ndëshkon mospajtimin, kërcënon jo vetëm demokracinë, por edhe themelet e një kombi".

Fulbright ishte demokrat. Presidenti që ai kundërshtonte, Lyndon Johnson, ishte gjithashtu demokrat. Megjithatë, për Fulbright-in, përkatësia partiake nuk mund të ishte kurrë më e rëndësishme sesa përgjegjësia ndaj vendit. Ai pagoi një çmim politik për qëndrimet e tij. Por historia nuk e kujton për pabesi ndaj partisë. E kujton për guximin për të mos u pajtuar me pushtetin.

E solla historinë e Fulbright-it për dy arsye.

Së pari, sepse emrin e tij e mbajnë bursat prestigjioze nga të cilat kanë përfituar edhe shumë intelektualë shqiptarë. Shpresoj që prej tyre të kenë mësuar jo vetëm si të bëhen profesionistë më të mirë, por edhe se dija pa pavarësi mendimi rrezikon të shndërrohet në një instrument të sofistikuar të servilizmit.

Edhe së dyti, sepse historia e tij na ndihmon të kuptojmë se si një pushtet mund të bëhet destruktiv dhe përse përgjegjësia nuk i përket vetëm njeriut që e drejton.
Në studimet mbi lidershipin destruktiv ekziston një koncept i njohur si "trekëndëshi toksik i pushtetit".

Ai përbëhet nga tri elemente që ushqejnë njëri-tjetrin:

1. Lideri destruktiv, që synon përqendrimin e pushtetit, kërkon bindje personale, e trajton kritikën si armiqësi dhe përdor kontrollin, manipulimin apo frikësimin për të ruajtur autoritetin.

2. Ndjekësit e nënshtruar dhe bashkëpunëtorët, që e mbështesin liderin për shkak të frikës, interesit, ambicies, privilegjeve apo nevojës për përkatësi; ku disa heshtin sepse kanë frikë të humbasin diçka, të tjerë janë proaktivë sepse shpresojnë të fitojnë diçka.

3. Mjedisi favorizues, kur institucionet dobësohen, mekanizmat e kontrollit humbasin efektivitetin, media nuk ushtron gjithmonë rolin e saj kritik dhe një opozitë që nuk arrin të frymëzojë krijon hapësirë për relativizimin e abuzimeve të pushtetit.

Historia nuk lë vend për shpresë . mazhoranat që e kanë ndërtuar pushtetin mbi frikën, servilizmin dhe dobësimin e institucioneve trasformohet në bandë dhune , e cilat humbasë dinjitetin shumë përpara se të humbasë pushtetin, duke e lënë këtë të fundit me turp.

Dua ende të besoj se në Partinë Socialiste dhe në grupin e saj parlamentar ka njerëz që nuk e kanë dorëzuar ndërgjegjen në shkëmbim të mandatit.

Dua të besoj se midis tyre ka edhe nga ata që kanë studiuar nën emrin e Fulbright-it dhe që nuk e kanë ngatërruar arsimimin me karrierën, e as karrierën me karakterin. Dua të besoj se mund të ketë qoftë edhe një pakicë që nuk e kanë varrosur përfundimisht virtyti i mospajtimit, duke gjalluar si qënie pa vlerë .

Bindja nuk është unitet. Heshtja nuk është përgjegjësi. Demokracia nuk është ndërtuar për të funksionuar pa kundërshtime. Përkundrazi, ajo mbështetet mbi fërkimin mes pushteteve, kontrollin reciprok dhe të detyrimin për tu distancuar nga pushteti pa dhunë.

Mospajtimi është një nga mekanizmat që e mbron demokracinë edhe kombin nga arbitrariteti. Trekëndëshi toksik i pushtetit është i destinuar të shpërbëhet. Por përgjegjësia do të mbetet si një akt tradhëtie tek të gjithë ju

Dhe për të mos mbërritur deri aty, nuk kërkohet heroizëm. Kërkohet ndërgjegje, qartësi dhe guxim për të thënë në kohë: Mjaft!

Të fundit