Flash News

Ditari i Opozitës

"Mbi 500 raste të trajtuara", Kaso: Protestuesit dhunoheshin edhe në një ambient brenda Min. së Arsimit

"Mbi 500 raste të trajtuara", Kaso: Protestuesit dhunoheshin edhe

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka ngritur akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit për trajtimin e protestuesve gjatë protestave studentore në Tiranë.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Kaso tha se dhuna nuk është ushtruar vetëm gjatë ndalimeve, por edhe brenda ambienteve ku janë shoqëruar qytetarët.

Sipas deputetit demokrat, policia ka përdorur forcë joproporcionale, në kundërshtim me detyrimin për të garantuar zhvillimin e tubimeve dhe për të ndërhyrë në përputhje me ligjin.

“Janë evidentuar raste tronditëse për opinionin publik. Policia ka qenë dhe mbetet tërësisht jashtë misionit të saj për të garantuar tubimet dhe, edhe nëse ka raste dhune sporadike, duhet të përgjigjet me mjetet proporcionale që parashikon ligji, nga policë të trajnuar për atë punë”, deklaroi Kaso.

Kaso bëri të ditur se Partia Demokratike ka ngritur një grup pune për mbledhjen dhe dokumentimin e rasteve të ndalimeve dhe të pretendimeve për keqtrajtim. Sipas tij, grupi ka trajtuar mbi 500 raste, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të ndaluar gjatë protestave ka qenë rreth 1 mijë.

“Kanë qenë rreth 1 mijë të ndaluar. Një pjesë janë liruar që në fillim, të tjerët në gjykatë. Pjesa dërrmuese kanë lënë paraburgimin”, u shpreh deputeti, duke shtuar se shumica e personave të trajtuar nga grupi i punës kanë raportuar keqtrajtime fizike gjatë shoqërimit ose qëndrimit në komisariate.

Akuza më e rëndë e Kasos lidhet me pretendimin se një ambient brenda Ministrisë së Arsimit është përdorur për të dhunuar protestuesit përpara se ata të dërgoheshin në komisariate.

“Edhe në një ambient në Ministrinë e Arsimit, një dhomë u kthye si dhomë trajtimi e Gestapos, ku u futën të ndaluarit që u kapën te Rruga e Durrësit. Dhunoheshin aty dhe çoheshin në komisariate”, deklaroi Kaso.

Deputeti demokrat kërkoi që akuzat për dhunë dhe keqtrajtim të dokumentohen dhe të hetohen nga institucionet përgjegjëse.

 


 

 


 

 


 

 

 

 

Të fundit