Flash News

Ditari i Maxhorancës

Plagosja e të riut me plumb gome nga policia, Rama gjen fajtorin te mediat dhe protestuesit: Ju jeni errësira

Plagosja e të riut me plumb gome nga policia, Rama gjen fajtorin te mediat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u qëllua me një plumb gome në syrin e majtë gjatë protestës së djeshme në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi plagosjen e të riut si një këmbanë alarmi, por në reagimin e tij nuk u ndal te rrethanat konkrete të goditjes apo te përgjegjësia e mundshme e efektivëve të policisë. Në vend të kësaj, ai akuzoi mediat se po e përdorin rastin për të nxitur më tej dhunën.

Madje, Rama pretendon se në protestat studentore ka persona që nxisin dhunën dhe se disa prej tyre paguajnë individë për të marrë pjesë në akte të tilla.  

Postimi i Ramës në X:

Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje. Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?! 

Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur. Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: 

Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë! Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni

Të fundit