PRINT

Navi Pillay shpallet fituese e Nobelit për Paqen 2026, juristja që ia kushtoi karrierën të drejtave të njeriut

Navi Pillay shpallet fituese e Nobelit për Paqen 2026, juristja që ia

Juristja nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2026, në vlerësim të punës së saj shumëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë për krimet e luftës.

85-vjeçarja ka një karrierë të gjatë në drejtësinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo u përball me diskriminimin racial që në vitet e aparteidit në Afrikën e Jugut, kur mori përsipër mbrojtjen e aktivistëve kundër regjimit dhe të të burgosurve politikë.

E lindur në Durban në vitin 1941, Pillay u bë në vitin 1967 gruaja e parë që hapi një zyrë avokatie në provincën Natal. Pas rënies së aparteidit, në vitin 1995, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Afrikës së Jugut, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj.

Më pas, ajo u bë pjesë e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën, ku shërbeu si gjyqtare dhe presidente. Gjatë punës së këtij institucioni për gjykimin e përgjegjësve të gjenocidit të vitit 1994, Pillay kontribuoi në zhvillimin e jurisprudencës për krimet seksuale, të cilat mund të përbëjnë akte gjenocidi.

Në vitin 2003, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ndërsa pesë vjet më vonë mori drejtimin e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Ajo e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2014.

Nderimi i saj vjen në një kohë kur zbatimi i së drejtës ndërkombëtare dhe roli i institucioneve ndërkombëtare janë në qendër të debateve për konfliktet e armatosura dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës.

Pillay nuk ishte ndër emrat që përmendeshin më shpesh në diskutimet publike për fituesin e këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara, për çmimin ishin paraqitur 287 kandidatura, nga të cilat 208 individë dhe 79 organizata.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit është planifikuar për 10 dhjetor, në Oslo, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit. Vitin e kaluar, Nobeli për Paqen iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane María Corina Machado, për përpjekjet e saj në mbrojtje të demokracisë në Venezuelë.

Të fundit