Flash News

OP-ED

Kujt i del nami, të nxjerr syrin

Kujt i del nami, të nxjerr syrin

Alfred Lela

Erjon Vishkulli, 28 vjeç, nga Elbasani, ka marrë buzëmbrëmjen e së shtunës një plumb në sy. Një ish-student Gazetarie, shkollë ku mësohet të raportohet për ngjarjet, protesta qofshin, aksione policore apo aksidente - ku humben gjymtyrë dhe jetë, u bë vetë lajmi. Klithma e tij, pas goditjes me plumb gome në sy, do të mbetet të paktën për disa ditë, në kujtesën e atyre që e dëgjuan dhe e panë. Por, syri i humbur apo i dëmtuar, do të mbetet me Erjonin përjetë.

Pse? 

Me siguri, ai dhe të afërmit e tjerë, e kanë bërë këtë pyetje mbrëmë, do e përsërisin sot, nesër e për shumë ditë në të ardhmen.

Përgjigjja do të vijë gjithmonë nga heshtja, nga ai pus i zi vetmie dhe errësire, që mund të jetë aty ku dikur ishte një bebëz që jepte e merrte nëpërmjet dritës.

Pak para se mbi të të ndalej një plumb gome, lëshuar nga armatura e Policisë së Shtetit, në radiot marrëse-dhënëse, një prej shefave kishte dhënë urdhërin: me plumba gome edhe gaz, mos i kurseni!

Pak orë më pare, një dyshe që nxinin si korbat, Kryeministri dhe ministri i tij i Brendshëm, kishin dalë në një lidhje live me publikun dhe çaprashitnin fjalë dhe tone që të kujtonin regjimet e juntës në latinAmerikën e dikurshme.

Dy ditë më pare, Edi Rama ishte kthyer nga Mali i Zi me një zezonë-këshillë të vëllamit të tij për shpirt, Aleksandër Vuçiç, i cili pasi e kishte komplimentuar si ‘aset’, e kishte qortuar për butësi… me protestuesit në Tiranë.

Kjo shtjellë shtysash dhe episodesh u bë plumbi që u ndal në syrin e 28-vjeçarit. Shpejtësia e ngjarjeve, tensioni i tyre, përplasja dje në rrugë, po kërkonte gjak në emër të atyre që janë gati për të, vetëm të mos lëshojnë pushtetin.

Edhe një sy do ta bënte punën.

Dhe ky sy u mor të shtunën nëpëmjet një verdikti dhune, ngjeshur pa mëshirë në togfjalëshin ‘mos i kurseni!’.

Kjo nuk është çështje heronjsh dhe banditësh. Sa para vlen që Erjoni të heroizohet mbi barrikadën e ‘revolucionit të tetorit’, apo tjetra, që policët të demonizohen!

Të dy palët janë instrumente. I riu i revoltës, dhe policët të sistemit. Të dyja, si revolta dhe sistemi, janë prodhuar në punishten e pushtetit të Edi Ramës. E njëjta dorë që është ngritur mbi të gjitha pushtetet, me maninë e përvetësimit, ka gisht edhe në këmbëzën e armës që shkrehu polici në drejtim të Erjonit.

Mund t’i drejtohemi protokollit. Se si ai parashikon që përdorimi i plumbave të gomës bëhet vetëm në drejtim të gjymtyrëve të poshtme. E të tjera, e të tjera.

Ky është shpjegim mekanik. E vërteta është më e ashpër dhe njëkohësisht më e thjeshtë. 

Edi Rama është një njeri me namin e keq, të korrupsionit, mbipushtetit dhe egocentrizmit. Atyre që u del nami, të verbuar dhe të kompleksuar, të nxjerrin sytë.

Të fundit