Flash News

E-TJERA

Prej muajsh në kërkim, arrestohet Ergys Agasi, në pranga edhe ish i besuari i Ilir Prodës

Ergys Agasi është arrestuar pasditen e sotme nga Policia, pas disa muajsh në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Bashkë me Agasin është ndaluar edhe Uljan Shpataraku. Ky i fundit dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit me të cilin udhëtonte Agasi në momentin e arrestimit.

Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij në kuadër të hetimeve për abuzimet e dyshuara me tenderat e AKSHI-t.

Sipas akuzave të Prokurorisë së Posaçme, Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që synonte manipulimin e procedurave të prokurimit të zhvilluara nga AKSHI.

Hetimi i SPAK përfshin edhe dyshime për përdorim të dhunës dhe pengmarrje, ndërsa arrestimi i Agasit shënon një zhvillim të ri në këtë dosje hetimore.

Tashmë pritet që autoritetet të japin më shumë detaje lidhur me rrethanat e arrestimit dhe masat e sigurisë që do të kërkohen ndaj dy të ndaluarve.

 

Të fundit