Flash News

E-TJERA

“Shkollë e demokracisë”, Hasimja për median franceze: Të rinjtë po detyrojnë politikën të ndryshojë gjuhë

“Shkollë e demokracisë”, Hasimja për median franceze:

Analisti Ermal Hasimja, në një intervistë për median franceze “Le Courrier des Balkans”, thotë se vala e protestave në Shqipëri nuk është thjesht një revoltë kundër qeverisë së Edi Ramës, por shpreh pakënaqësinë ndaj një sistemi të ndërtuar mbi klientelizmin dhe kontrollin politik. Ai kritikon edhe opozitën, që sipas tij nuk ka arritur të bindë qytetarët se përfaqëson një alternativë të vërtetë, ndërsa akuzon Bashkimin Europian se po i jep përparësi stabilitetit politik përballë demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Sipas Hasimjas, protestuesit shqiptarë e kanë kuptuar se largimi i kryeministrit nuk mjafton për të zgjidhur problemet e vendit. Në intervistën për “Le Courrier des Balkans”, ai argumenton se pakënaqësia e qytetarëve lidhet me një sistem që, sipas tij, funksionon mbi bazën e klientelizmit dhe përjashton ata që nuk janë pjesë e tij.

Ai thekson se kostoja e jetesës, rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta janë vetëm disa nga pasojat e këtij modeli. Në këtë kuptim, protesta nuk kufizohet te kërkesat ekonomike, por shkon drejt një kërkese më të gjerë për ndryshimin e mënyrës se si ushtrohet pushteti në Shqipëri.

Intervista e plotë: 

Le Courrier des Balkans (CdB): Si mund të shpjegohet vala e re e protestave që ka përfshirë Shqipërinë ditët e fundit? Bëhet fjalë për një refuzim të qeverisë Rama apo për një krizë më të thellë të sistemit politik?

Ermal Hasimja (E.H.): Të dyja. Protestuesit janë të pakënaqur me qeverinë, por ata e kuptojnë se nuk mjafton të ndryshohet kryeministri: duhet ndryshuar sistemi. Bëhet fjalë për një sistem të bazuar në klientelizëm, i cili përjashton të gjithë ata që nuk bëjnë pjesë në të. Kostoja e jetesës, rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta janë vetëm simptomat e këtij sistemi.

CdB: Pse protestuesit nuk i besojnë as opozitës aktuale? A mund të përfaqësojë Partia Demokratike një alternativë të vërtetë ndaj qeverisë?

E.H.: Protestuesit janë gjithashtu të zhgënjyer nga opozita, të cilën e konsiderojnë pjesë përbërëse të sistemit. Partia Demokratike nuk ka arritur t'i bindë qytetarët se mund të përfaqësojë një alternativë të vërtetë ndaj qeverisë.

CdB: A është ende i mundur dialogu politik në Shqipëri, apo protestuesit kërkojnë tashmë një ndryshim të thellë të sistemit?

E.H.: Kjo krijon një terren të favorshëm për shfaqjen e forcave të reja politike. Por, për momentin, asnjëra prej tyre nuk ka marrë ende një formë të mirëfilltë. Megjithatë, ka përpjekje në këtë drejtim që mund të japin rezultat. Forumi i Dialogut Politik është një shembull i tillë.

Nga ana tjetër, një dialog mes protestuesve dhe qeverisë duket i pamundur. Pikërisht këtu lëvizja shqiptare ndryshon nga ato që shohim në Francë apo gjetkë. Në Shqipëri, nuk bëhet fjalë thjesht për të siguruar përmirësime ose ndryshime të pjesshme, por për ta transformuar sistemin në thellësi.

Prandaj, sipas protestuesve, dialogu me qeverinë nuk ka kuptim: ata e konsiderojnë atë garantuesen e sistemit që duan pikërisht të ndryshojnë.

CdB: Ju keni themeluar Forumin e Dialogut Politik (FDP). Cili është qëllimi i tij, kë synon të bashkojë dhe si mund të kontribuojë konkretisht për të nxjerrë Shqipërinë nga polarizimi politik aktual?

E.H.: FDP-ja u krijua për të mbështetur përpjekjet e opozitës përballë qeverisë. Sot, ajo po ripërcakton rolin e saj dhe po përgatitet të luajë një rol të drejtpërdrejtë brenda opozitës.

Forumi bashkon rreth 30 intelektualë dhe ekspertë që dëshirojnë të propozojnë zgjidhje konkrete për ndryshimin e sistemit dhe jo vetëm të njerëzve që janë në pushtet.

Veprimtaria e tij mbështetet në dy parime: çlirimin e shtetit nga kontrolli i partisë në pushtet dhe çlirimin e ekonomisë nga kontrolli i pushtetit politik.

Qeveria është përpjekur ta shuajë mobilizimin përmes dhunës policore, demonizimit të protestuesve dhe presioneve, por lëvizja është rishfaqur me edhe më shumë forcë.

CdB: A mund të bëhet rinia shqiptare një forcë e vërtetë politike, në ngjashmëri me lëvizjen studentore në Serbi, apo roli i saj do të mbetet kryesisht protestues?

E.H.: Të rinjtë shqiptarë janë duke mësuar. Shpesh e kam krahasuar këtë lëvizje me një shkollë të demokracisë.

Qeveria është përpjekur ta shuajë mobilizimin përmes dhunës policore, demonizimit të protestuesve dhe presioneve, por lëvizja është rishfaqur me edhe më shumë forcë.

Me shumë gjasë, nga lëvizjet studentore nuk do të lindë një parti e re, siç mund të ketë ndodhur në Serbi. Megjithatë, lëvizja po prodhon tashmë një efekt: ajo po i detyron aktorët politikë të flasin gjuhën e të rinjve dhe të marrin parasysh kërkesat e tyre.

CdB: A do të mjaftonte dorëheqja e Edi Ramës për t'i dhënë fund krizës? Çfarë roli duhet të luajë Bashkimi Europian për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, pa penguar procesin e anëtarësimit?

E.H.: BE-ja ka zgjedhur të qëndrojë neutrale përballë protestave, duke mbyllur sytë ndaj dhunës së pajustifikuar policore dhe, përpara kësaj, ndaj shkeljeve të përsëritura të të drejtave të opozitës në Parlament.

Gjithçka të bën të besosh se përparësia e saj mbetet stabiliteti politik, në dëm të demokracisë.

Megjithatë, BE-ja mund të luajë një rol aktiv dhe shumë pozitiv duke kundërshtuar korrupsionin dhe cenimet e demokracisë nga ana e qeverisë shqiptare.

Ajo duhet të kuptojë se qëndrimi i pakompromis i qeverisë nuk do ta ndihmojë Shqipërinë të anëtarësohet më shpejt në Bashkimin Europian, por, përkundrazi, rrezikon ta pengojë procesin e anëtarësimit, veçanërisht kur qeveria duhet të përmbushë kërkesat europiane për luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e shtetit të së drejtës./ Përshtati Politiko.al

 

Të fundit