Flash News

KRYESORE

“Kthim në komunizëm”, media belge demaskon klimën e frikës nga masat e Ramës

“Kthim në komunizëm”, media belge demaskon klimën e

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë masash të reja për të frenuar protestat në Shqipëri, duke parashikuar gjoba deri në 5 mijë euro për personat që qëndrojnë në tubime ku kryhen akte dhune ose dëmtime të pronës. Masat janë raportuar nga media belge “La Libre”, e cila sjell edhe reagimet e qytetarëve ndaj ashpërsimit të paralajmëruar.

Sipas propozimeve të bëra publike nga Rama përmes një videoje të transmetuar të dielën në rrjetet sociale, gjobat do të mund të aplikohen ndaj personave që qëndrojnë në grumbullime ku ka dhunë, grabitje ose që fshehin identitetin, kur këto tubime shkaktojnë dëme materiale.

Paketa parashikon gjithashtu mundësinë që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë në zona të caktuara, kur ekziston rrezik i menjëhershëm për dhunë. Kryeministri ka njoftuar edhe masa për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, si dhe pezullimin ose shkarkimin e personave që nxisin, organizojnë apo koordinojnë pjesëmarrjen e nxënësve të mitur në protesta.

Sipas “La Libre”, këto masa pritet të paraqiten në formë projektligji, ndërsa protestat në Tiranë vijojnë prej 13 tetorit, në një lëvizje që nisi në maj kundër një projekti ndërtimi në një zonë natyrore të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Në demonstrata kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, veçanërisht të rinj, të cilët kundërshtojnë kushtet e studimit në universitete, denoncojnë korrupsionin dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

“Kthim në komunizëm”

Pavarësisht masave të paralajmëruara, disa qindra protestues marshuan sërish të dielën në qendër të Tiranës. Media belge sjell shqetësimet e dy pensionisteve, të cilat kritikojnë atë që e konsiderojnë shkelje të të drejtave të njeriut.

Njëra prej tyre vë në pikëpyetje idenë që prindërit të paguajnë për veprimet e fëmijëve të tyre, ndërsa kryeministri, sipas saj, nuk mban përgjegjësi për anëtarët e qeverisë që janë nën hetim.

Ndërsa Frida, 29 vjeçe, i ka krahasuar paralajmërimet për censurimin e llogarive në internet që bëjnë thirrje për protesta dhe arrestimet e mundshme me një rikthim te praktikat e periudhës komuniste, para vitit 1990.

Rama, nga ana e tij, ka akuzuar për ndërhyrje nga jashtë dhe ka deklaruar se dorëheqja e tij nuk mund të imponohet përmes forcës. Masat e propozuara janë kritikuar edhe nga opozita.

Të fundit