Flash News

E-TJERA

Aleanca e Profesionistëve të Lirë kundër paketës fiskale: Rrit kostot, ul konkurrueshmërinë e bizneseve

Aleanca e Profesionistëve të Lirë kundër paketës

Aleanca e Profesionistëve të Lirë shpreh shqetësimin se Paketa Fiskale 2027 nuk garanton koherencë të mjaftueshme ndërmjet objektivave fiskale dhe masave konkrete, duke rrezikuar rritjen e barrës tatimore, kostove administrative dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së biznesit.

1.Ndikimi buxhetor dhe justifikimi ekonomik

Sipas relacioneve shoqëruese, Paketa Fiskale 2027 parashikohet të gjenerojë rreth 14 miliardë lekë të ardhura neto shtesë në vit, ose 0,6% të PBB-së. Ndryshimet kryesore:

  • · Tatimi mbi fitimin: nga 15% në 17%
  • · Tatimi mbi dividendin: nga 8% në 15%
  • · TVSH-ja standarde: nga 20% në 21%
  • · TVSH-ja për akomodimin turistik: nga 6% në 10%
  • · TVSH-ja për ushqimet bazë: nga 20% në 6%

· Ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat personale duke shtuar 32% norme

Këto masa rishpërndajnë barrën fiskale dhe kërkojnë analizë të plotë. Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë, pa kapacitete të mjaftueshme administrative, rrezikon të rrisë kostot e pajtueshmërisë pa garantuar formalizim efektiv. FMN-ja ka sugjeruar një prag më të lartë, rreth 8 milionë lekë, dhe trajtim të njëjtë për tatimpaguesit. Edhe argumentimi i mëparshëm i Qeverisë ka qenë se ulja e pragut nuk garanton rritje të formalizimit.

2.Barra mbi fitimin, kapitalin dhe investimet

Rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin e çon barrën e kombinuar nga rreth 21,8% në 29,45%, kur fitimi shpërndahet plotësisht. Kjo mund të frenojë riinvestimet, zgjerimin e aktivitetit dhe projektet e reja. Përpara miratimit, nevojitet analizë e ndikimit mbi investimet private, konkurrueshmërinë rajonale dhe kapitalin vendas.

3.TVSH-ja, çmimet dhe fuqia blerëse

Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë në 6% mund të ndihmojë familjet, por përfitimi varet nga reflektimi i saj në çmimet përfundimtare. Për një çmim neto të pandryshuar, rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% e rrit çmimin bruto me rreth 0,83%, ndërsa ulja për ushqimet mund ta ulë atë deri në 11,7%, nëse përcillet plotësisht te konsumatori.

4.Eficienca e shpenzimeve publike

Sipas të dhënave të cituara në dokumentacion, të ardhurat e vitit 2026 janë rreth 20,1 miliardë lekë mbi planin fillestar. Në vitin 2025, investimet kapitale të parealizuara arritën rreth 25,5 miliardë lekë, me realizim 84%, ndërsa dëmi ekonomik dhe efekti financiar negativ i konstatuar nga KLSH-ja vlerësohet në rreth 26,2 miliardë lekë. Përpara rritjes së barrës tatimore, Qeveria duhet të argumentoj qartë nevojën për të ardhura shtesë. Rritja nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Afatet e kufizuara krijojnë pasiguri për çmimet, kontratat, flukset e parasë dhe investimet e bizneseve.

Në përfundim, APL kërkon rishikimin e Paketës Fiskale 2027 përpara miratimit, konsultim real me grupet e interesit dhe publikimin e një vlerësimi të plotë të ndikimit ekonomik e buxhetor për çdo masë. Kërkojmë rishqyrtimin e rritjes së tatimit mbi fitimin dhe dividendin, mbrojtjen e biznesit të vogël dhe profesionistëve të lirë./ Monitor

Të fundit