Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha denoncon paketën fiskale: Rama u shpall luftë bizneseve, goditje edhe për xhepat e qytetarëve

Berisha denoncon paketën fiskale: Rama u shpall luftë bizneseve,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar paketën e re fiskale të qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rrit barrën tatimore mbi bizneset dhe po rrezikon mbijetesën e tyre.

Në një videomesazh të publikuar nga selia e PD-së, Berisha deklaroi se paketa parashikon rritjen e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15%, të tatimfitimit nga 15% në 17%, si dhe përgjysmimin e pragut të xhiros për TVSH-në, nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Berisha e cilësoi paketën si një goditje ndaj biznesit dhe paralajmëroi se efektet e saj nuk do të kufizohen vetëm te sipërmarrësit, por do të përkthehen edhe në kosto më të larta për konsumatorët.

“Miq, kjo masë pabesie vjen në një kohë kur për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës, në Shqipëri euro dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë, përkatësisht 35%. Për rrjedhojë po kaq janë zhvlerësuar eksportet e vendit, prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, eksportet kanë rënë me 28%.

Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.

Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do vendosë taksën e sheshtë 10%, dhe se nivelin e pagesës së TVSH-së do ta ngrejë në 15 milionë lekë, ndërkohë ajo do të zbresë në 6% TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë”, deklaroi Berisha.

Të fundit