Flash News

E-TJERA

KE distancohet nga paketa e Ramës kundër protestave: Nuk jemi përfshirë në hartimin e saj

KE distancohet nga paketa e Ramës kundër protestave: Nuk jemi

Komisioni Europian ka bërë të qartë se nuk është përfshirë në përgatitjen e paketës ligjore të njoftuar nga kryeministri Edi Rama pas protestave dhe episodeve të dhunës në Shqipëri, duke theksuar se propozimi ende nuk është bërë publik.

Në një përgjigje për A2 CNN, Komisioni Europian konfirmon se është në dijeni të nismës së qeverisë, por sqaron se as institucioni europian dhe as Delegacioni i BE-së në Tiranë nuk kanë marrë pjesë në hartimin e saj.

“Jemi në dijeni të njoftimit të kryeministrit Rama për një paketë ligjore që synon t’i përgjigjet dhunës gjatë protestave. As Komisioni dhe as Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk janë përfshirë në përgatitjen e propozimit, i cili nuk është bërë publik”, thuhet në përgjigjen e KE-së për A2 CNN.

Ndërkohë, Brukseli nënvizon se do të vijojë të monitorojë nga afër angazhimin e Shqipërisë për respektimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, duke veçuar lirinë e shprehjes dhe të tubimit.

Reagimi vjen në një moment kur qeveria shqiptare ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për tubimet dhe në Kodin Penal, si dhe masa për përgjegjësinë mbi dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Paketa u njoftua nga Rama më 25 tetor, në një klimë tensionesh të larta pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.

Të fundit