Flash News

Kosova

Skandali/ Kënga serbe për Kosovën interpretohet në aktivitetin e Komisionit Evropian në Bruksel

Skandali/ Kënga serbe për Kosovën interpretohet në

Një këngë patriotike serbe, e njohur për mesazhet e saj nacionaliste mbi Kosovën është interpretuar në Bruksel në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian më 15 dhe 16 nëntor.

Bëhet fjalë për këngën “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të koncertit ku ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor.

Ngjarja ka ngjallur reagime për përzgjedhjen e repertorit artistik, pasi kënga lidhet me narrativën nacionaliste serbe për Kosovën. Sipas informacioneve të publikuara, Kosova nuk ka pasur përfaqësues në këtë aktivitet, ndërsa në skenë është interpretuar një këngë që përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi territorin e saj.

Forumi i Zgjerimit të BE-së, i cili mbahet nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, synon të trajtojë të ardhmen e procesit të anëtarësimit, reformat, sigurinë dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Në programin e 16 nëntorit janë parashikuar fjalimet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, dhe komisioneres Marta Kos.

Kënga “Oj Kosovo, Kosovo” është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori dhe këngëtari serb Ljubomir Ljuba Manasijeviq, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389, ndërsa u regjistrua një vit më vonë. Në tekst përmenden Graçanica, Vidovdani, princi Lazar dhe Millosh Obiliqi, figura të traditës epike dhe fetare serbe. Mesazhi bëhet edhe më i drejtpërdrejtë në vargjet ku Kosova paraqitet si tokë serbe, për të cilën thuhet se nuk do të hiqet dorë.

Sipas programit zyrtar të Komisionit Evropian, forumi përfshin përfaqësues politikë nga vendet anëtare të BE-së dhe ato që synojnë anëtarësimin, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrës, artistë, të rinj dhe ekspertë të politikave.

Interpretimi i këngës në një aktivitet që synon të promovojë afrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor ngre dyshime mbi kriteret e përzgjedhjes së programit artistik dhe ndjeshmërinë politike ndaj Kosovës. Sipas mediave në Kosove, këtij aktiviteti do t’i drejtohen pyetje Komisionit Evropian dhe komisioneres Marta Kos për të kërkuar sqarime mbi repertorin e zgjedhur dhe mungesën e përfaqësimit të Kosovës.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40