Flash News

E-TJERA

GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës, ish-kryeprokurori nuk shpëton nga dënimi me 2 vite burg

GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës, ish-kryeprokurori

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burg.

Llalla kishte kërkuar që vendimi i formës së prerë, i dhënë në vitin 2021, të konsiderohej i parashkruar me argumentin se kishin kaluar afro pesë vite pa e vuajtur dënimin me burg.

Kërkesa u shqyrtua këtë të hënë në GJKKO, pas shtyrjes së seancës së mëparshme, kur prokurorja e SPAK, Enkelejda Millonai, kërkoi kohë për t'u njohur me materialet e dosjes. Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.

Ndërkohë, Adriatik Llalla vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve ndaj tij, ai u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare.  

Adriatik Llalla u dënua në vitin 2021 për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri raste. Krahas dënimit me dy vite burg, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi t’i heqë për pesë vite të drejtën për të ushtruar funksione publike.

Vendimi parashikonte gjithashtu kalimin në favor të shtetit të pasurive të tij, konkretisht katër sipërfaqe toke me një sipërfaqe totale prej 22 mijë metrash katrorë, si dhe një apartament në Durrës.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40