Flash News

Bota

Një pajisje e vetme paralizoi trafikun ajror në SHBA, nën hetim kontraktori qeveritar

Një pajisje e vetme paralizoi trafikun ajror në SHBA, nën hetim

Një ruter i vetëm (pajisje elektronike që lidh rrjete të ndryshme dhe drejton komunikimin e të dhënave mes tyre) mund të ketë shkaktuar kaosin në trafikun ajror në SHBA, që të premten çoi në pezullimin e të gjitha fluturimeve në vend. 

Sipas një hetimi paraprak të raportuar nga Reuters, defekti lidhet me pajisje të instaluara nga kontraktori qeveritar L3Harris, ndërsa autoritetet amerikane ende nuk kanë përcaktuar nëse bëhet fjalë për gabim instalimi, gabim njerëzor apo një ruter me defekt.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e fluturimeve në mbarë vendin, pas problemeve në sistemin e komunikimit që përdoret nga kontrollorët e trafikut ajror, ndeersa agjencia e justifikoi vendimin me “rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie”.

Sipas zyrtarëve amerikanë, problemi nisi gjatë punimeve për zëvendësimin e linjave të vjetra të telekomunikacionit me fibra optike. Sakaq, sekretari i Transportit, Sean Duffy, tha se L3Harris po kryente mirëmbajtje rutinë në të paktën një objekt të largët, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe pajisjet e instaluara në Arkansas dhe Teksas.

Duffy shpjegoi se ruterët e rinj mund të kenë mbingarkuar pajisjet e tjera të rrjetit, duke gjeneruar më shumë se 1 mijë përpjekje lidhjeje çdo katër deri në pesë sekonda. Kjo shkaktoi paqëndrueshmëri në komunikimin e të dhënave mes avionëve dhe sistemeve të radarëve në objektet e FAA-së.

“Po punojmë për të përcaktuar nëse kemi pasur paaftësi, që do të thotë se ishte gabim i përdoruesit apo gabim i instaluesit nga L3Harris, apo nëse ata instaluan një ruter me defekt. Nuk e kemi përcaktuar ende se cili ishte defekti”, deklaroi Duffy.

Ai e pranoi se sistemi nuk i përmbushi kërkesat në momentin kritik, duke shtuar se kompania përgjegjëse ose furnizuesi i pajisjeve duhet të përmirësojë punën. Nga ana e saj, L3Harris deklaroi se po bashkëpunon me FAA-në për të zbardhur shkaqet e incidentit. Kompania bëri të ditur se ka përfunduar më shumë se 70% të kalimit të planifikuar nga linjat e vjetra të bakrit në sistemet me fibra optike.

Problemi preku komunikimet në 17 nga 22 qendrat e FAA-së në të gjithë vendin. Agjencia sqaroi se komunikimet nuk u ndërprenë plotësisht dhe se qendrat nuk dolën jashtë funksionit, por të dhënat u bënë të paqëndrueshme, por për shkak se nuk mundi të identifikonte menjëherë shkakun e problemit, FAA vendosi të ndalonte fluturimet në të gjithë vendin.

Incidenti ka rikthyer vëmendjen te infrastruktura e vjetëruar e kontrollit të trafikut ajror në SHBA. Ruterët që po zëvendësohen  sipas Duffy-t, duhej të ishin zëvendësuar që në vitin 2006. FAA shpenzon rreth 1 miliard dollarë çdo vit për mirëmbajtjen e sistemit të vjetër të linjave të bakrit, ndërsa përpjekjet për modernizimin e tij po përballen me vonesa.

Ky nuk është rasti i parë kur një defekt teknik shkakton ndërprerje të mëdha në trafikun ajror amerikan. Në vitin 2023, një ndalesë kombëtare e fluturimeve, që zgjati rreth 90 minuta dhe ndikoi në 11 mijë fluturime, u shkaktua nga fshirja aksidentale e disa skedarëve nga një kontraktor qeveritar dhe ishte ndërprerja e parë e këtij lloji që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Edhe në shtator të këtij viti, mijëra fluturime në verilindje të SHBA-së u vonuan ose u anuluan pas dy defekteve në një qendër të kontrollit ajror në Filadelfia dhe prerjes aksidentale të një kablli me fibra optike në New Jersey.

Për modernizimin e sistemit, FAA ka marrë 12.5 miliardë dollarë nga Kongresi, ndërsa Sekretari i Transportit ka kërkuar edhe 50 miliardë dollarë të tjera për kontrollin e trafikut ajror dhe aeroportet. Agjencia ka njoftuar gjithashtu se deri në fund të vitit 2028 synon të zëvendësojë disqet e vjetruara që përdoren për të ruajtur informacionet e motit dhe të dhëna të tjera kritike në më shumë se 400 objekte të kontrollit ajror.

Sistemi amerikan vazhdon të mbështetet edhe në kompjuterë Compaq dhe pjesë këmbimi të blera në platforma si eBay, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror po largohen gradualisht nga përdorimi i shiritave prej letre për ndjekjen e avionëve. 

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40