Flash News

Rajoni

Shtëpi falas për 10 vjet, Italia hap programin për banorët e rinj; Si mund të aplikoni

Shtëpi falas për 10 vjet, Italia hap programin për banorët e

Një mundësi për të jetuar në Itali pa paguar qira për dhjetë vjet. Rajoni i Kalabrisë ka nisur programin “Ripopola Calabria”, përmes të cilit ofron 50 shtëpi dhe apartamente në 26 komuna të vogla, duke mbuluar gjithashtu të gjitha shpenzimet e rinovimit të tyre.

Programi synon të tërheqë banorë të rinj në zonat që po përballen me shpopullimin. Pronat janë në pronësi të bashkive dhe kanë sipërfaqe deri në 140 metra katrorë. Ato do t'u vihen në dispozicion përfituesve vetëm pasi të përfundojnë punimet e rikonstruksionit. Për zbatimin e kësaj nisme janë vënë në dispozicion 20 milionë euro nga Plani i Zhvillimit dhe Kohezionit të Kalabrisë.

Për të përfituar nga programi, aplikantët duhet të jenë madhorë, të mos kenë jetuar në Kalabri gjatë tre viteve të fundit dhe të angazhohen për t'u zhvendosur përgjithmonë në një nga komunat pjesëmarrëse.

Një nga kushtet kryesore është regjistrimi i vendbanimit në adresën e pronës dhe mbajtja e tij gjatë gjithë periudhës dhjetëvjeçare. Përfituesit nuk do të kenë të drejtë ta japin banesën me qira, ta nënqirasin apo ta përdorin për aktivitete biznesi.

Përparësi në përzgjedhje do të kenë familjet me fëmijë, prindërit e vetëm, çiftet e reja, personat që punojnë në distancë, të vetëpunësuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Në listën e kategorive të favorizuara përfshihen edhe punonjësit e sektorit kulturor dhe krijues. Mundësi aplikimi kanë gjithashtu personat me origjinë nga Kalabria, të cilët janë larguar të paktën tre vjet më parë dhe dëshirojnë të kthehen.

Aplikimet kryhen vetëm online, përmes portalit zyrtar të programit, ndërsa për pjesëmarrje kërkohet identitet dixhital italian ose evropian. Afati i fundit është 18 dhjetori, në orën 17:00. Çdo kandidat mund të përzgjedhë deri në tri prona, për të cilat do të krijohen lista të veçanta renditjeje.

Kontrata dhjetëvjeçare do të nisë vetëm pasi banesa të jetë rinovuar dhe t'i dorëzohet përfituesit. Në përfundim të kësaj periudhe, rajoni dhe bashkia mund të propozojnë vazhdimin e kontratës ose blerjen e pronës me një çmim të kufizuar. Megjithatë, kushtet konkrete për këtë fazë ende nuk janë përcaktuar.

Nisma vjen në një kohë kur Kalabria po përballet me rënie të ndjeshme të popullsisë. Sipas të dhënave të publikuara në planin e programit, rajoni ka humbur më shumë se 124 mijë banorë nga viti 2011 deri në vitin 2024, ndërsa 324 nga 404 komunat e tij kanë më pak se 5 mijë banorë.

Përmes 50 banesave të para, autoritetet shpresojnë të tërheqin rreth 110 banorë të rinj, duke i dhënë një shtysë zonave të vogla që po përballen me braktisjen dhe tkurrjen e popullsisë.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40