Flash News

Ditari i Opozitës

“Shteti të ndahet nga partia dhe krimi”, Bylykbashi prezanton paketën e PD-së për reformën zgjedhore

“Shteti të ndahet nga partia dhe krimi”, Bylykbashi prezanton

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka përsëritur qëndrimin se nuk ka zgjedhje të lira pa u ndarë shteti nga partia dhe krimi. 

Në një qëndrim në rrjetet sociale lidhur me reformën zgjedhore, Bylykbashi argumenton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk garantohen vetëm përmes administrimit të rregullt të votimit, por kërkojnë edhe ndalimin e përdorimit të administratës publike, buxhetit, investimeve dhe shërbimeve shtetërore për interesa elektorale.

Ai ka prezantuar tetë fushat ku  duhet të ndërhyjë reforma, si dhe propozimet e opozitës për forcimin e kompetencave të KQZ-së dhe vendosjen e sanksioneve për abuzimin me burimet publike, deri në humbjen e mandatit në rastet e shkeljeve të rënda.

Postimi i plotë: 

NUK KA ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDERSHME PA U NDARË SHTETI NGA PARTIA DHE KRIMI!

Zgjedhjet nuk grabiten vetëm ditën e votimit. Gara deformohet shumë më herët, kur administrata, buxheti, shërbimet dhe autoriteti i shtetit përdoren për avantazh elektoral.

Partia konkurron me burimet e partisë. Shteti qeveris me burimet e shtetit! Kjo kërkohet nga Këshilli i Europës, OSBE-ja dhe BE-ja.

Ndarja e shtetit nga partia është një standard themelor i OSBE-së, ndërsa ndalimi i abuzimit me burimet shtetërore dhe garantimi i konkurrimit të barabartë janë kërkesa të përsëritura në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Çdo masë për ndarjen e shtetit nga partia nevojitet në negociatat për anëtarësim në BE.

Qëllimi nuk është të nxjerrim qeverinë nga qeverisja. Është të nxjerrim shtetin nga fushata!

Paketa jonë e reformës zgjedhore trajton 8 fusha ku duhet të garantohet ndarja e shtetit nga partia:

1. Administrata publike – Pa presion politik dhe mobilizim partiak të punonjësve.
2. Vendimet qeveritare, fiskale dhe sociale – Pa përdorim elektoral të përfitimeve publike.
3. Buxheti, prokurimet dhe investimet – Fondet dhe pasuria shtetërore në shërbim të qytetarëve, jo të partive.
4. Patronazhimi – Pa kushtëzim politik të punësimit dhe shërbimeve publike.
5. Kontrollet dhe inspektimet – Pa përdorim selektiv të pushtetit shtetëror për presion politik.
6. Të dhënat personale – Regjistrat shtetërorë nuk janë databaza elektorale.
7. Aktivitetet zyrtare – Funksioni publik nuk mund të shndërrohet në fushatë partiake.
8. Media dhe propaganda institucionale – Informimi publik duhet të ndahet nga promovimi elektoral i pushtetit.

REFORMA DUHET TË GARANTOJË:

• Ndalime të përhershme të abuzimit me burimet shtetërore dhe mbrojtje të përforcuar përpara zgjedhjeve.

• KQZ që kontrollon dhe ndërhyn drejtpërdrejt, në kohë reale.

• NDALO – RIVENDOS – SANKSIONO: jo vetëm gjoba pas zgjedhjeve, por ndërprerje e shkeljes dhe korrigjim i avantazhit të paligjshëm.

• Humbjen e mandatit edhe nga subjekti zgjedhor, kur provohet se është fituar për shkak të abuzimit të rëndë me burimet shtetërore, me garanci dhe kontroll gjyqësor.

THIRRJA E OPOZITËS ËSHTË E QARTË:

Kuvendi duhet ta kthejë ndarjen e shtetit nga partia në rregulla të qarta, kontrolle të detyrueshme dhe pasoja reale mbi përfitimin e paligjshëm zgjedhor përpara zgjedhjeve të 9 maj 2027!

Nuk mjafton të ndëshkohet shkelësi, nëse partia ruan mandatin e fituar nga shkelja.

Nuk mjafton të numërohen saktë votat, nëse liria e tyre është cenuar përpara votimit.

Jo vetëm zgjedhje të administruara drejt. Zgjedhje ku askush nuk konkurron me pushtetin dhe paratë e shtetit!

Qeveria të qeverisë. Partitë të konkurrojnë. Qytetarët të zgjedhin të lirë!

Dhe, sigurisht, shteti duhet të ndahet edhe nga krimi i organizuar dhe ushtarët e tij më parlament!

Kërkesa e Opozitës për përfaqësimin, që zvogëlon kapjen e shtetit nga partia, është e qartë:

Zgjedhje e Parlamentit me sistem proporcional kombëtar me listë të hapur.

Zgjedhje e këshillave bashkiakë me listë të hapur.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40