Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama hakmerret ndaj Veliajt, i merr "Tiranën" pas përplasjeve nga burgu

Rama hakmerret ndaj Veliajt, i merr "Tiranën" pas

Kryesocialisti Edi Rama i heq Erion Veliajt drejtimin politik të Tiranës dhe ka caktuar Ervin Demon dhe Albana Koçiun si bashkëdrejtues të PS-së në kryeqytet.

Vendimi i tij erdhi pas shumë përplasesh mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të arrestuar, ndërsa ky i fundit, përmes një letre drejtuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, kërkoi nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Ramës si kryetar i Partisë Socialiste.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, Rama ka vendosur që drejtimi politik i PS-së në Tiranë t’i besohet Ervin Demos dhe Albana Koçiut, duke lënë jashtë kësaj strukture Erion Veliajn dhe Ogerta Manastirliun, të cilët e mbanin më parë këtë funksion.

Kujtojmë se Veliaj  nga burgu i Fierit kritikoi mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste dhe përqendrimin e vendimmarrjes në duart e kryetarit. Në mesazhin e tij drejtuar anëtarëve të Asamblesë, Veliaj e cilësoi PS-në si një parti që, sipas tij, ka humbur demokracinë e brendshme dhe hapësirën për mendime ndryshe.

Në të njëjtën letër, Veliaj kërkoi që Asambleja të shqyrtonte përgjegjësinë politike të Edi Ramës dhe të niste procedurën statutore për mocion mosbesimi ndaj tij si kryetar i partisë. Ai dejklaronte gjithashtu se përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i ishte përcjellë një mesazh nga Rama për të dhënë dorëheqjen dhe për t’ia lënë drejtimin e Bashkisë së Tiranës Arbër Hajdarit, pretendime që janë kundërshtuar nga palët e përmendura.

Në këtë kontekst, largimi i Veliajt nga drejtimi politik i Tiranës dhe emërimi i dy figurave të tjera të PS-së mund të lexohet si një tjetër zhvillim në përplasjen mes tij dhe Ramës, pasi kryeministri nuk ka dhënë një shpjegime që ta lidhë këtë ndryshim me letrën e Veliajt, por vendimi shënon një ndryshim të rëndësishëm në organizimin e partisë në kryeqytet.

Vetëm pak ditë më parë, Veliaj kishte kërkuar të merrte pjesë në mbledhjen e Asamblesë, duke argumentuar se vijonte të ishte anëtar i këtij organi, i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Ai e kishte konsideruar pjesëmarrjen të lidhur drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që i burojnë nga funksionet partiake.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40