Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pasi refuzoi SPAK për ta arrestuar, Rama flet për Ballukun: Kush ka probleme me drejtësinë, të merret vetë

Pasi refuzoi SPAK për ta arrestuar, Rama flet për Ballukun: Kush ka

Edi Rama ka komentuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, teksa ka mohuar se ai apo partia bëjnë avokatinë e zyrtarëve që përballen me hetimet.

Duke iu referuar kritikave për qëndrimin e tij ndaj Ballukut, Rama tha se është krijuar artificialisht një e vërtetë sipas së cilës ai ka ndërhyrë për ta mbrojtur ish-zëvendëskryeministren nga drejtësia. Ai këmbënguli se çështjet që lidhen me drejtësinë janë personale dhe duhet të ndiqen përmes avokatëve të të pandehurve.

“U ngrit një furtunë sikur unë mbrojta Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Por cila është e vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë është dhe mbetet raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal të vetin! Me avokatët e vet, unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt! Gjeni një fjalë, timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot, për asnjërin dhe për asnjërën”, deklaroi Rama.

Por ndryshe nga rasti i Ballukut, për të cilën tha se nuk ka ndërhyrë, kryeministri përsëriti qëndrimin e tij kundër paraburgimit të Erion Veliajt. Ai e cilësoi atë si një masë absurde, pasi sipas tij  kryeqytetit nuk mund t’i hiqet kryetari i zgjedhur pa një gjykim, ndërsa në të njëjtën kohë të pretendohet se ai nuk mund të zëvendësohet.

“Po do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë dhe e përsëris këtë gjë. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nuk mund të thuash se ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë. Ose njëra, ose tjetra. Të dyja bashkë janë nonsens. Por nuk do të them asnjëherë asgjë për meritën e çështjes”, u shpreh ai.

Sa i përket Ballukut, Rama sqaroi se kundërshtimi i tij lidhej me kërkesën për autorizim për paraburgimin e një deputeteje, ndërkohë që hetimet vijonin, dhe jo me vlerësimin e akuzave në themel. Sipas tij, hetimet tashmë kanë përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim. Kryeministri tha se kundërshtimi i tij lidhej me një qasje që socialistët do ta kundërshtojnë përmes ligjit.

 

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40