Ditari i Maxhorancës

Ministria në flakë, Kumbaro kujtohet pas dy ditësh revoltë studentore

Ministria në flakë, Kumbaro kujtohet pas dy ditësh revoltë

U deshën dy ditë revoltë studentore, përplasje dhe flakë në godinën që drejton, që ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, të dilte me një mesazh për studentët.

Pasi Ministria e Arsimit u bë një nga shënjestrat e protestuesve, ministrja u kujton studentëve se institucioni ka qenë dhe do të mbetet një derë e hapur për komunikim.

 Ministrja, e cila thekson se ka marrë pjesë edhe vetë në protesta gjatë jetës së saj universitare, shprehet se ka respekt maksimal për të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë nga institucionet.

Reagimi i ministres: 

Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera. Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.

Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kerkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe

-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;

-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njera tjetrën!

Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.

Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve te fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje. Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët

Të fundit