E-TJERA

Forumi i Dialogut Politik del me propozim: Të krijohet një qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme pas 1 viti

Forumi i Dialogut Politik del me propozim: Të krijohet një qeveri

Forumi i Dialogut Politik ka dalë në mbështetje të protestave studentore në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në deklaratën e tij, Forumi argumenton se vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe sociale, të shkaktuar nga pakënaqësitë e qytetarëve dhe mënyra se si qeveria po i përgjigjet situatës.

Sipas Forumit, skandalet qeveritare dhe keqpërdorimi i taksave dhe pronave publike, së bashku me reagimin ndaj protestave, kanë dëmtuar besimin te institucionet dhe po pengojnë stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Forumi shpreh solidaritetin me studentët dhe qytetarët që protestojnë prej afro 140 ditësh, duke i cilësuar kërkesat e tyre të drejta. Njëkohësisht, ai kërkon një ndryshim të qasjes politike përmes krijimit të një qeverie kujdestare me mandat të kufizuar.

DEKLARATË E FORUMI I DIALOGUT POLITIK

Shqipëria është në krizë të thellë politike dhe sociale për shkak të akumulimit të pakënaqësive të mëdha. Qeveria vijon të reagojë ndaj krizës përmes injorimit të arsyeve të krizës dhe prodhimin e propagandës që nuk e beson më askush. Kjo propagandë po drejton vëmendjen te pasojat anësore të revoltës dhe jo te arsyet rrënjësore të saj.

Skandalet e pafundme qeveritare, abuzimi me taksat dhe pronat publike nga njëra anë, si dhe revolta qytetare dhe reagimi me dhunë dhe propagandë ndaj saj nga ana tjetër tregojnë se kjo qeveri ëshë pengesa kryesore për stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Për këtë arsye Forumi i Dialogut Politik:
1. Shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e drejta të studentëve dhe qytetarëve të tjerë në protestë prej afro 140 ditësh.
2. Kërkon krijimin e një qeverie kujdestare me mandat të kufizuar për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe vijimin e procesit të integrimit.
3. Kërkon ndryshimin e kodit zgjedhor dhe miratimin e një kodi të ri që pasqyron nevojat përfaqësuese të shqiptareve.
4. Kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme pas një afati 12 mujor të nevojshëm për përgatitjen e tyre.

Shqipëria meriton demokraci, integrim dhe zhvillim.
Një sistem i ri duhet të çlirojë shtetin nga partia dhe të çlirojë ekonominë nga politika. 

Të fundit