E-TJERA

Iu thye këmba nga policia në protestë, flet i riu: Ndjeva që u përplasa fuqishëm

Iu thye këmba nga policia në protestë, flet i riu: Ndjeva që

Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka zhvilluar një bisedë me Ledion Ballën, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës pas dëmtimeve të rënda që pësoi gjatë përplasjes me punonjës të Policisë së Shtetit disa ditë më parë. Sipas raportimit të emisionit, për ngjarjen janë pezulluar katër efektivë policie dhe shefi i krimeve në Komisariatin Nr. 1.
 
Ledioni ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, ndërkohë që bashkëpunëtorët e emisionit investigativ zhvilluan një bisedë ekskluzive, ku ai dhe nëna e tij që i qëndron te koka tregojnë se e kanë goditur fuqishëm.

“Ndjeva që u përplasa fuqishëm. Isha aty në lokal dhe nisa një herë të iki. Pastaj s’kisha ku shkoja se ishte rruga e bllokuar. Ndëjta dhe vetëm kur ndjeva që u përplasa diku. Fuqishëm” thotë Ledioni. Më tej shton se nuk vritet njeriu kot, teksa thotë se nuk ka qenë pjesë e protestës. “Po nuk vritet njeriu kot. Me dal në rrugë e ça …” shton ai.

Nga ana tjetër, nëna e tij thotë se i kanë futur hekur në këmbë dhe më vonë do të përdorë fizioterapist. “Tani është në fazën e rikuperimit. I futën hekur nga gjuri e deri poshtë. O Zot, asnjë mos e pastë kismet. Nuk i është dëmtuar lëkura apo enët e gjakut. Vetëm kocka është thyer, tjerat nuk janë” thotë nëna e tij.

Në fund të bisedës, në dhomën e spitalit, mbërrin edhe kryeinfermieri i cili i kërkon bashkëpunëtores së emisionit Fiks Fare se kanë marrë urdhër që Ledioni të mos flasë me askënd. “E kam urdhër, asnjë mos t’a takojë” i thotë ai, duke i kërkuar bashkëpunëtores që të largohet nga dhoma.

Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka pezulluar 4 punonjësit që e morën në krahë Ledionin si dhe shefin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1. Fiksi tentoi që të kontaktojë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke i marrë një prononcim. Në ditën e tretë të protestës së studentëve, Hitaj ndodhej në afërsi të kryeministrisë. Në momentin që grupi i xhirimit po i afrohej vendit ku qëndronte kryepolici, disa punonjës të tjerë largojnë me forcë gazetaren dhe operatorin.

Fiksi kontakton në telefon me z. Hitaj, por ai nuk jep shpjegime. “Mirupafshim” thotë, ndërsa s’jep asnjë prononcim. Menjëherë pas kësaj përgjigje, Hitaj filmohet duke lëvizur lirisht e duke qeshur, pavarësisht se efektivët e tij filmohen duke dhunuar studentë dhe të mitur./ TCH

Të fundit