E-TJERA

“Lufta e tyre është edhe e jona”, të rinjtë italianë krah studentëve shqiptarë

“Lufta e tyre është edhe e jona”, të rinjtë

Të rinjtë italianë kanë shprehur solidaritet me studentët shqiptarë, pas protestës së djeshme në Tiranë dhe përplasjeve me policinë para Ministrisë së Arsimit.

Përmes një deklarate, Rrjeti i Studentëve të Shkollave të Mesme në Itali (Rete degli Studenti Medi) dënoi përdorimin e dhunës ndaj protestuesve shqiptarë, të cilët dolën në rrugë për të kërkuar arsim të aksesueshëm, kushte më të mira në shkolla dhe më shumë mundësi për të ardhmen.

“Kur brezat e rinj dalin në shesh për të kërkuar ndryshim, përgjigjja e institucioneve nuk mund të jetë represioni, por dialogu dhe marrja e përgjegjësive”, thuhet në reagimin e studentëve italianë.

Ata theksuan se kërkesat e të rinjve shqiptarë për arsim cilësor dhe mundësi të barabarta janë edhe kërkesat e tyre, duke shprehur mbështetjen për protestuesit. “Lufta e tyre është edhe e jona”, deklaruan përfaqësuesit e organizatës.

Studentët italianë njoftuan gjithashtu se do t'i bashkohen protestës dhe grevës kombëtare që do të mbahet këtë të shtunë në Romë, ku do të kërkojnë garantimin e së drejtës për arsim, shkolla të sigurta e të aksesueshme dhe më shumë vëmendje nga institucionet.

“Sheshet u përkasin atyre që luftojnë për një të tashme më të mirë. Asnjë shkop gome nuk mund t'i fshijë idetë”, përfundon mesazhi i solidaritetit me studentët shqiptarë.

 

Të fundit