E-TJERA

Protesta studentore, Këshilli Ndërfetar thirrje institucioneve: Qytetarët të dëgjohen

Protesta studentore, Këshilli Ndërfetar thirrje institucioneve:

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të zgjedhin dialogun dhe përgjegjësinë, në një kohë kur protestat dhe përplasjet kanë shoqëruar ditët e fundit vendin.

Në një deklaratë publike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksojnë se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve meritojnë të dëgjohen seriozisht, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Këshilli nënvizon se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, por dënon dhunën, shkatërrimin e pronës dhe cenimin e të drejtave të të tjerëve. Sipas deklaratës, dëmtimi i bizneseve familjare prek drejtpërdrejt jetesën e qytetarëve, ndërsa sulmet ndaj institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike cenojnë sigurinë dhe respektin e ndërsjellë.

“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.

Këshilli Ndërfetar u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin dhe ta shohin njëra-tjetrën si pjesë të së njëjtës shoqëri. Sipas tij, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi.

Në përfundim, përfaqësuesit fetarë kërkojnë që qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet dhe ligji të respektohet, duke vënë në plan të parë paqen shoqërore dhe të mirën e përbashkët.

Të fundit