E-TJERA

Nga Veriu në Jug, gjimnazistë dhe studentë zbresin në shesh: Rama jep dorëheqjen!

Nga Veriu në Jug, gjimnazistë dhe studentë zbresin në shesh:

Protesta kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve në Tiranë po përhapet edhe në qytetet e tjera të vendit. Këtë të premte, 16 tetor, nxënës dhe studentë kanë braktisur mësimin dhe auditoret, duke dalë në rrugë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në Gramsh, një grup të rinjsh organizoi një protestë kundër qeverisë, ndërsa në Burrel gjimnazistët dolën në rrugë me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”. Bojkotit të mësimit iu bashkuan edhe nxënës në Kamëz, ku të rinjtë u shfaqën me flamurin kombëtar në duar dhe brohoritën “Revolucion”.

Edhe në Lezhë, gjimnazistë, kryesisht nga shkolla “Hydajet Lezha”, lanë mësimin për t’iu bashkuar protestës. Gjatë grumbullimit u raportuan përplasje mes policisë dhe nxënësve, ndërsa në qytet u shtua prania e efektivëve pranë institucioneve kryesore.

Nga Veriu në Jug, gjimnazistë dhe studentë zbresin në shesh:

Ndërkohë, në Elbasan, qindra të rinj, mes tyre studentë dhe nxënës, u mblodhën sërish në shenjë proteste kundër qeverisë. Lëvizja është shtrirë edhe në universitetet e vendit: në Vlorë vijon bojkoti i mësimit, ndërsa studentët pritet të protestojnë para rektoratit në orën 10:00. Në Durrës, ndërkaq, ambientet universitare këtë mëngjes u paraqitën bosh.

Dalja e gjimnazistëve në rrugë dhe bojkoti në universitete shënojnë zgjerimin e protestës përtej Tiranës, ku studentët prej ditësh kërkojnë largimin e qeverisë.

Të fundit