Flash News

POLITIKOFF

Të hash me të tjerët mund të mbrojë trurin dhe shëndetin mendor

Një zakon i thjeshtë i përditshëm mund të ketë ndikim më të madh në shëndetin mendor dhe atë të trurit nga sa mendojmë: të ulemi në tryezë dhe të hamë me njerëz të tjerë, shkruan BBC.

Shkencëtarët e quajnë këtë praktikë “commensality”, pra ndarjen e vakteve me të tjerët. Përtej ushqimit, ky ritual krijon mundësi për komunikim, lidhje sociale dhe forcim të marrëdhënieve, elemente që lidhen ngushtë me mirëqenien.

Sipas Jan-Emmanuel De Neve, profesor i ekonomisë dhe shkencave të sjelljes në Universitetin e Oksfordit, ndarja e vakteve është një mënyrë e rëndësishme për të krijuar besim dhe lidhje mes njerëzve.

Sa ndikon në shëndetin mendor?

Një nga studimet e kryera në Kinë analizoi rreth 9,300 gra mbi 60 vjeç, duke parë lidhjen mes mënyrës se si ushqeheshin dhe rrezikut për simptoma depresive.

Rezultatet treguan se numri i personave që uleshin në tryezë gjatë vakteve lidhej dukshëm me rrezikun për depresion. Lidhja mbeti edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë të tjerë, përfshirë gjendjen shëndetësore, pasurinë dhe faktin nëse personat jetonin vetëm.

Një tjetër studim, i kryer në Japoni, arriti në një përfundim të ngjashëm. Personat 65–74 vjeç që jetonin me familjarët, por hanin rregullisht vetëm, kishin rreth pesë herë më shumë gjasa të shfaqnin simptoma depresive krahasuar me ata që konsumonin vaktet në shoqëri.

Vaktet e përbashkëta lidhen edhe me lumturinë

Një tjetër burim i rëndësishëm të dhënash është “World Happiness Report”, i cili në vitin 2024 përfshiu pyetje mbi zakonet e të ushqyerit të njerëzve në vende të ndryshme të botës.

Rreth 150 mijë persona u pyetën se sa herë gjatë javës së fundit kishin ngrënë drekë apo darkë me dikë që njihnin.

Analiza e të dhënave tregoi një lidhje të qëndrueshme: sa më shumë vakte ndaheshin me të tjerët, aq më i lartë ishte niveli i mirëqenies emocionale dhe kënaqësisë me jetën.

Sipas De Neve, efekti ishte aq i dukshëm sa frekuenca e vakteve të përbashkëta rezultonte një tregues i kënaqësisë me jetën i krahasueshëm me faktorë të rëndësishëm si statusi i punës dhe të ardhurat relative.

Të fundit