Flash News

Ditari i Maxhorancës

Protestat, Veliaj dhe dosjet e SPAK... Mblidhet sot asambleja e PS-së në një moment të vështirë për Ramën

Protestat, Veliaj dhe dosjet e SPAK... Mblidhet sot asambleja e PS-së

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare në një moment të vështirë për mazhorancën, e cila po përballet me protesta të vazhdueshme kundër qeverisë, përplasje të brendshme dhe tensione në raport me drejtësinë.

Mbledhja e organit më të lartë drejtues të PS-së do të zhvillohet në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, larg kryeqytetit, ndërsa sipas informacioneve, kryetari i socialistëve, Edi Rama pritet ta nisë takimin me fjalën e tij në orën 10:00, megjithatë deri tani nuk është bërë publike një axhendë tjetër përveç fjalimit të tij.

Takimi i parë përgatitor për zgjedhjet vendore të 9 majit pritet të përqendrohet te mënyra se si PS do të organizojë garën për 46 bashkitë dhe formula që do të përdoret për përzgjedhjen e kandidatëve.

Sakaq, Rama do të duhet të përballet edhe me pakënaqësitë brenda partisë, protestat që vijojnë prej muajsh dhe përplasjen e hapur me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, kurse në sfond mbeten gjithashtu marrëdhënia me drejtësinë dhe dosjet që po hetohen nga SPAK.

Edhe pse disa emra janë përmendur në media si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet lokale, në kampin socialist vijon të mbizotërojë hermetizmi për vendimet që do të merren. Një nga çështjet që pritet të sjellë diskutime është edhe kërkesa e Erion Braçes për një proces të brendshëm partiak në përcaktimin e kandidatëve. Deputeti socialist nuk e ka fshehur ambicien për të qenë kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës.

Në garën për kryeqytetin është përmendur gjithashtu emri i Ogerta Manastirliut, e cila pritet të jetë një nga alternativat e mundshme të socialistëve. Ajo ishte propozuar nga Rama edhe për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, të cilat në fund nuk u zhvilluan. Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse pakënaqësia e qytetarëve dhe protestat do të ndikojnë në përzgjedhjen e kandidatëve të tjerë të mazhorancës.

Kjo është Asambleja e parë e thirrur nga Rama pas protestave të “Flamingove” dhe tubimeve të dhunshme të tetorit. Në këtë mbledhje kërkon të jetë i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg. Ai ka argumentuar se masa e arrestit nuk duhet ta privojë nga e drejta për të ushtruar detyrat e tij politike dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e partisë.

Përtej përgatitjeve për zgjedhjet vendore, mbledhja e sotme pritet të tregojë se si do të menaxhojë Rama tensionet brenda PS-së dhe nëse do të ketë një reagim për zhvillimet që kanë vënë në vështirësi mazhorancën.

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40