Flash News

E-TJERA

Ngërçi me pagat e gjyqtarëve, Prokuroria e Beratit ia kalon dosjen SPAK-ut

Ngërçi me pagat e gjyqtarëve, Prokuroria e Beratit ia kalon

Përplasjet mbi mënyrën e llogaritjes së pagave në Gjykatën e Beratit kanë përfunduar në duart e SPAK. Prokuroria lokale ka vendosur të mos vijojë më hetimet për këtë çështje, pasi ka konstatuar se Prokuroria e Posaçme po heton të njëjtën problematikë, duke përfshirë edhe persona të tjerë.

Procedimi penal u regjistrua pas denoncimit të një punonjëseje të gjykatës, e cila ngriti shqetësimin se nuk kishte marrë pagën e gushtit 2026. Shkak për këtë situatë ishte bërë mosmarrëveshja mbi zbatimin e formulës së re të pagave të magjistratëve.

Në qendër të kallëzimit u vendos edhe drejtuesja e Thesarit në Berat, ndaj së cilës punonjësja ngriti pretendime për dëme ekonomike dhe financiare.

Nga dëshmitë e administruara gjatë hetimit u konfirmua se vonesat nuk kishin prekur vetëm një punonjës, por edhe pjesën tjetër të personelit të gjykatës. Debati ishte përqendruar te listëpagesat e gushtit: Gjykata i kishte përgatitur ato sipas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa Thesari kërkonte që pagesat të kryheshin me të njëjtat nivele si në korrik.

Pas konstatimit se SPAK kishte regjistruar një procedim për të njëjtën çështje dhe po hetonte një rreth më të gjerë subjektesh, Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencën lëndore. Dosja me numër 440/2026 i është përcjellë tashmë Prokurorisë së Posaçme.

NJOFTIMI I PLOTE:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat shpalli moskompetencë për kallëzimet e kryera mbi ndryshimet ligjore “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe vendosi kalimin e saj Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Hetimet mbi procedimin penal nr.440 të vitit 2026, nisën pas ankesës së bërë nga shtetasja N.Xh., specialiste e protokollit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjthshëm, Berat për pamundësinë e tërheqjes së pagës së saj për shkak të kontradiktave lidhur me formulën e  përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Kjo punonjëse denoncoi drejtuesen e thesarit, A.R. në Berat me pretendimet se i ka shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.

Pas pyetjes së personave në dijeni, punonjës të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, të gjithë pohuan problemet me kalimin e pagave për muajin gusht 2026. Shtetasja M.Sh., shefe e sektroti të buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, pranoi se punonjësit e gjykatës nuk morën në kohë pagën e muajit gusht. Ajo pohoi se përllogaritjen e pagave për këtë muaj e kreu bazuar në vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin nr.435, datë 26.08.2026 për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15 viti 2026, për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve nga data 1 Gusht 2026, sipas formulës të përcaktuar në vendimin nr.35/2022 të Gjykatës Kushtetuese e tyre. Por listë pagesa nuk u miratua nga Dega e Thesarit. Ajo pohoi se kërkoi sqarime me email nga drejtuesja e thesarit A.R. e cila e sqaroi që të dërgoheshin pagat e listë pagesave të muajit Gusht 2026 me nivelin e pagave të muajit Korrik 2026 që të bëhej i mundur ekzekutimi nga thesari.

Nga komunikimi me email zyrtar me Degën e Thesarit në datën 4.9.2026, gjykata u vu në dijeni që të dërgonim urdhër shpenzimet e pagave për personelin e administratës të gjykatës me qëllim mundësimin e ekzekutimit të pagave sa më shpejt. Por kjo nuk u realizua pas ndarja e listë pagesave veç për gjyqtarët dhe veç për administratën bie ndesh me udhëzimin nr.1 datë 21.01.2025, lidhja nr.2 e tij, pasi listë pagesa mujore është një dhe e vetme.

Nga hetimet rezultoi se i njëjti procedim penal është regjistruar edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) e cila heton për të njëjtin fakt penal por me rreth subjektesh më të gjëra, përfshirë edhe ato të hetuara prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat vlerëson se SPAK është prokuroria kompente për hetimin e procedimit penal nr.440/2026, ndaj shpall moskompetencë lëndore dhe ia kalon çështjen SPAK.

 

Të fundit

Poll

16 November 2026, 09:40