Flash News

Kosova

Vrau gruan dhe e raportoi si aksident, arrestohet 81-vjeçari në Prizren

-1200-630-1787743144ximg-1893-637.jpeg

Dy ditë pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në Malishevë, një tjetër grua është vrarë në Kosovë, këtë herë në Prizren. Viktima është një 80-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj 81-vjeçar është arrestuar si i dyshuari kryesor për krimin.

Ngjarja u raportua rreth orës 01:30 në banesën ku çifti jetonte vetëm. Fillimisht, 81-vjeçari e kishte raportuar rastin si një vdekje aksidentale, por pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ngriti dyshime se bëhej fjalë për vrasje.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dyshimet u forcuan pasi në trupin e viktimës u konstatuan dëmtime në pjesë të ndryshme. Trupi i 80-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi, ndërsa bashkëshorti i saj është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Sipas Policisë së Kosovës, ndaj çiftit nuk kishte pasur më herët raportime për dhunë në familje.

Rasti i Prizrenit vjen vetëm dy ditë pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në Malishevë, ku edhe në atë ngjarje bashkëshorti i viktimës dyshohet si autor. Brenda pak ditësh, dy gra kanë humbur jetën dhe në të dyja rastet dyshimet janë përqendruar te bashkëshortët.

 

Të fundit